Forca të ushtrisë kanë mbërritur pak minuta më parë në Lezhë, teksa situata paraqitet problematike për shkak të reshjeve të shumta të shiut.
Lumi Drin në disa zona rrezikon të dalë nga shtrati. 970 ha tokë janë nën ujë në Lezhë dhe në Kurbin. Zona më problematike paraqitet ajo e Zadrimës. Në të njëjtën kohë edhe prurjet e shumta të lumit Vjosa gjatë natës kanë bërë që në orët e para të mëngjesit të së premtes të dali nga shtrati lumi Vjosa dhe të përmbysë pazarin e kafshëve poshtë urës së Mifolit.
Sipas kreut të Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, niveli i lumit deri në këto momente është 6.6 m mbi nivelin e detit, dhe prurjet vazhdojnë.
Mësohet se në Kurbin, saktësisht në Fushë Gjorm, banesa e shtetasit Baftjar Reçi është përmbytur. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe depërtimit të tij në shtëpi, banorët e zonës janë evakuuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Në një deklaratë për Top Channel, nënkryetari i bashkisë Lezhë Ermal Paci tha se rrezikohet të çahet argjinatura e kanalit të ujërave të larta në fshatin Kallmet të lezhës. Ndërsa është bllokuar rruga që lidh fshatin Kallmet me autostradën.
“Është e rënduar por s’kemi dëme në njerëz apo materiale. Në fushën e Zadrimës konkretisht në njësinë Dajc kemi probleme, edhe në Kallmet po ashtu, edhe në argjinaturën përbri kanalit kryesor ku po bëhet ndërhyrja. Po ashtu autostrada është e bllokuar për shkak të fryrjes së kanalit kryeso, por nuk rrezikon jetën e banorëve dhe as dëme materiale”, u shpreh Paci.