Gjenerata e ardhshme e teknologjisë së lëvizshme është gati për t’u hedhur në treg. Teknologjia inovative 5G ka gjithçka në avantazh me përjashtim të një rasti të qartë biznesi
Atletët e Koresë së Veriut nuk ishin pjesëmarrësit e vetëm të pazakontë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang në Korenë e Jugut, të cilat filluan nga 9 shkurti. Çdokush mund të merrte pjesë në to, të paktën virtualisht, shkruan The Ecnomist.
Shumë garues u filmuan nga kamera të vendosura kudo dhe që mund të transmetojnë video të ndryshme nëpërmjet një rrjeti të lëvizshëm. Në pika të caktuara në të gjithë vendin, tifozët e disiplinave të ndryshme sportive u bënë pjesë e një realiteti virtual, gjë që u mundëson atyre që të futen menjëherë në veprim.
Për shembull, ata do të jenë së bashku me sportistët e tyre të preferuar gjatë ekzekutimeve të ndryshme në pistat e patinazhit, duke kërcyer së bashku me ta në ajër, gjë që u mundëson atyre një nivel të lartë adrenaline, por mbi të gjitha pa më të voglin rrezik, në rast të ndonjë rrëzimi të mundshëm.
Realitete të tilla virtuale do të ofrohen nga KT, firma më e madhe e telekomunikacionit në Korenë e Jugut, që ka për qëllim të prezantojë gjeneratën e fundit të teknologjisë së lëvizshme (wireless), të njohur ndryshe si “5G”, shkruan The Economist.
Por, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe skiatorët nuk e dinë sesa larg do të arrijnë, pasi largohen nga platforma e nisjes, po në të njëjtën mënyrë edhe teknologjia “5G” nuk dihet se deri ku do të shkojë apo se ku do të ndalet. Por në teori, kjo teknologji e re, pritet që të shkojë larg. Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), një institucion i OKB-së i cili ndihmon në zhvillimin e standardeve teknike, ka rënë dakord për një sërë kërkesash ambicioze për teknologjinë.
Ai duhet të ofrojë një shpejtësi shkarkimi prej të paktën 20 gigabait në sekondë, kohën e përgjigjes (lantency) prej më pak se 1 milisekondash dhe aftësinë për të lidhur së bashku të paktën 1 milion pajisje në një sipërfaqe prej një kilometër katror. Pra, rrjetet 5G supozohet se duhet të jenë në gjendje të shfaqin një film me metrazh të gjatë dhe me rezolucion të lartë në vetëm dy sekonda dhe t’u përgjigjen kërkesave në një kohë më të shpejtë sesa ne na duhet për të hapur dhe për të mbyllur sytë dhe t’i shërbejnë me lehtësi qyteteve me një popullsi të dendur.
Në momentin që 5G do të hidhet në treg në një fazë të përfunduar, bandwidth-i (gjerësia e brezit) të lëvizshëm mund të shkojë deri në infinit, shprehet Alex Choi, i cili deri pak kohë më parë ka qenë Drejtor i Teknologjisë në SK Telecom, kompania e dytë më e madhe e Koresë së Jugut, i cili aktualisht punon në Deutsche Telekom, një operator gjerman.
Kjo do të mundësojë të gjitha llojet e shërbimeve të të dhënave, të cilat SK po i teston në bazën e saj 5G, pranë Seulit.
Një prej tyre është edhe realiteti virtual që u lejon njerëzve që nëpërmjet pajisjeve të caktuara të bëhen pjesë e një stadiumi sportiv virtual. Një tjetër anë shumë pozitive dhe madje edhe e zgjuar e teknologjisë së re 5G duhet parë në lidhje me Ericsson-in, një prej krijuesve të pajisjeve të rrjetit.
Antenat e dukshme janë në gjendje të krijojnë rrjete të veçanta të lëvizshme, për t’i shërbyer kujtdo, nga smartphone-t dhe sensorët e lëvizshëm deri te robotët industrialë dhe makinat me vetëdrejtim. “Çdo set pajisje do të marrë ekzaktësisht lidhjen për të cilën ka nevojë”, – shprehet Nishant Batra, i cili drejton produktet e rrjetit të lëvizshëm (wireless) në firmën suedeze.
Kjo përshtatshmëri, së bashku me kërkesat e ITU-së, mund të shndërrojë teknologjinë 5G në indin lidhës për Internetin e Gjërave (IoT), shprehet Pierre Ferragu nga Bernstein Research. Rrjetet e bazuara në të mund të lidhin dhe kontrollojnë robotë, pajisje në fushën e mjekësisë, pajisje industriale dhe makineri bujqësore.
Industria e telekomunikacionit mbështetet shumë në teknologjinë 5G. Prodhuesit e pajisjeve të tilla si Ericsson apo Nokia duan që ajo të ringjallin kërkesën për mallrat e tyre, e cila ka rënë ndjeshëm menjëherë pasi investimi në 4G arriti kulmin gjatë disa viteve më parë.
Krijuesit e çipeve të tilla si Qualcomm, janë gjithashtu entuziastë. Edhe shtete të ndryshme po e nxisin zhvillimin e 5G-së. Duke qenë se vendet aziatike mbetën prapa në gjeneratën e mëparshme të teknologjisë së lëvizshme (wireless), ata synojnë të jenë liderë në këtë gjeneratë të re 5G. Por përdorimi i Lojërave Olimpike Dimërore si një formë prezantimi dhe lançimi për teknologjinë 5G, nuk është unike vetëm për Korenë e Jugut.
Edhe Japonia do të veprojë në të njëjtën mënyrë në vitin 2020, kur Tokio do të mirëpresë Olimpiadën Verore dhe NTT DoCoMo, operatori më i madh i vendit, dëshiron të fillojë të ofrojë shërbime 5G-së në mënyrë komerciale.
Në Kinë qeveria, operatorët dhe krijuesit vendas të pajisjeve si Huawei dhe ZTE janë në prag të hedhjes në treg të testit të madh 5G. Në Amerikë, ku konkurrenca midis ATT, Sprint, T-Mobile dhe Verizon e ka përshpejtuar zhvillimin e 5G-së, politika industriale, nga ana tjetër, mund të përshpejtojë hedhjen e saj në treg: një informacion i shkruar i zbuluar për Shtëpinë e Bardhë nga një zyrtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë shkoi aq larg sa të kërkojë për një rrjet të ndërkombëtarizuar 5G.
Projekti, argumentonte ai, do t’i lejonte Amerikës që “të ecte përpara konkurrentëve globalë dhe t’i siguronte popullit amerikan një infrastrukturë të sigurt dhe të besueshme”. Por edhe pse ajo u hodh poshtë, nuk do të thotë që ajo ide të mos rishfaqet përsëri.
Përpos gjithë kësaj mbështetje kundrejt 5G, ekzistojnë edhe disa pengesa. Një nga këto është spektri i radios, i cili është i tejngopur nga frekuencat më të ulëta që zakonisht përdoren nga rrjetet celulare. Spektri i lirë përfshin frekuenca më të larta, veçanërisht kur gjatësia e valëve të radios matet në milimetra. Por sa më e lartë të jetë frekuenca, aq më të vështira bëhen gjërat, shpjegon Stéphane Téral nga IHS Markit, një firmë kërkimore.
Sistemi hardware është një tjetër drejtim. Disa prodhues vendas të pajisjeve kanë qenë duke i hedhur në treg produktet e tyre pasi “5G të ishte gati”, të cilat do të kishin vetëm për përmirësime softuerike për të punuar sipas standardeve të reja.
Në fakt, edhe nëse pajisja është lehtësisht e përditësueshme, shumicës së operatorëve do t’u duhej të riorganizonin rrjetet e tyre. Valët e radiove me frekuenca të larta nuk është se arrijnë deri në distanca të largëta prandaj firmave të ndryshme do t’u duhet që të ngrenë më shumë stacione bazë (kompjuterë që fuqizojnë antenat e rrjetit).
Për sa u përket pajisjeve të lëvizshme, u duhet të bëjnë ndryshime të mëdha, në mënyrë që të jenë në gjendje që të përdorin valët milimetrike, sepse me teknologjinë e tanishme, fuqia informatike për përpunimin e sinjaleve do t’i shkatërrojë bateritë e këtyre pajisjeve sa hap e mbyll sytë.
Por ndryshimi më i madh i teknologjisë 5G do të jetë sigurisht në fushën ekonomike. Vitin e kaluar, kur grupi GSMA, pyeti 750 drejtues kompanish telekomunikacioni në lidhje me rrezikun kryesor të hedhjes në treg në mënyrë të përfunduar të 5G-së, më shumë se gjysma e tyre përmendën “mungesën e një rasti të qartë të biznesit”.
Pjesa më e madhe janë pesimistë, sepse duan që të tregohen edhe të kujdesshëm: nëse operatorët do të ishin më entuziastë, shitësit e këtyre pajisjeve do të rrisnin çmimet e tyre. Por në kushtet aktuale, 5G nuk pritet të shndërrohet në një gjenerues të madh parash, shprehet Chetan Sharma, një konsulent në sektorin e telekomunikacioneve.
Kjo ndodh për faktin se edhe pse njerëzit duan më shumë bandwidth (gjerësia e brezit), ata shpeshherë nuk janë të gatshëm të paguajnë për atë që kërkojnë. Të ardhurat për gigabyte të të dhënave kanë rënë me mbi 50% nga 2012 në 2015, cilëson Z. Sharma. Kostot për gigabyte nuk kanë rënë me të njëjtat nivele dhe për më tepër, ndërtimi i 5G nuk do të jetë aspak i lirë.
Për shkak të frekuencave më të larta, 5G do të kërkojë ndërtimin e më shumë antenave, stacioneve bazë dhe kabllove me fibra optike për t’i lidhur ato. Dhe përpara se ndërmarrjet të mund të përfitojnë plotësisht nga “ndarja e rrjetit”, për shembull, ata duhet që fillimisht të përmirësojnë kompjuterët e tyre. Ne duhet të punojnë në mënyrë që t’i japin 5G-së nxitjen për të cilën ka nevojë, pohon Lauri Oksanen, i cili mbikëqyr hulumtimin e rrjetit në kompaninë Nokia, një krijues i pajisjeve finlandeze.
Operatorët nuk pritet që të rrisin brenda një periudhe të shkurtër investimet e tyre 5G, cilëson Bengt Nordstrom nga Northstream, një firmë konsulence në fushën e telekomunikacionit. Ai tha më tej se fillimisht pjesa më e madhe e tyre do ta përdorin atë për të siguruar lidhjet wireless (d.m.th. midis dy antenave të stacioneve bazë) gjë që është më pak e ndërlikuar për t’u bërë.
Si AT&T ashtu edhe Verizon janë shprehur se do të fillojnë të ofrojnë një shërbim të tillë në Amerikë që prej këtij viti. Disa të tjerë mund ta përdorin 5G për të marrë sa më shumë nga spektri që kanë aktualisht.
Të tjerët do t’i përdorin rrjetet 5G për t’u shërbyer qyteteve me popullsi të dendur, ndoshta në Azi për shembull. Disa të tjerë mund të hedhin në treg sistemet private, për shembull për të siguruar lidhjet me minierat dhe portet.
E thënë ndryshe, trajektorja e 5G-së ndryshon shumë nëse do ta krahasonim me trajektoren e një skiatori: ajo mund të ecë me një ritëm të ngadaltë për vite me radhë, deri sa të vijë një moment që të marrë shpejtësinë më të madhe dhe të shkëputet nga të tjerët. Dhe nëse kjo gjë është e vërtetë, ajo do të zhvillohej më shumë si 3G-ja, një teknologji mobile e prezantuar në fillim të viteve 2000.
Dhe vetëm pas prezantimit me teknologjinë 4G, rrjetet celulare mundën të realizonin premtimet e bëra nga 3G, si të pasurit mundësi për të parë video në livestream. Dhe sipas Dean Bubley, një ekspert në sektorin e telekomunikacioneve, ne mbase na duhet që të presim hedhjen në treg të 6G për të marrë ato që premton 5G.