Lajme jo të mira na vijnë nga Floriana Garo dhe i fejuari i saj, Tedi Ngjela. Burime të afërta të çiftit konfirmojnë se pas një krize të kaluar në muajt e fundit, ata kanë vendosur të ndahen. Kështu ka marrë fund dashuria dhe fejesa rreth 5-vjeçare e prezantueses së “Klan” me djalin e biznesmenes së njohur Shefikat Ngjela.
Floriana asnjëherë nuk është treguar e rezervuar në lidhje me dashurinë e saj. Ajo ka rrëfyer gjithmonë me dëshirë detaje nga një dashuri e madhe, për hir të së cilës ajo braktisi Amerikën dhe vendosi të jetonte në Tiranë, pranë Tedit. Ata kanë jetuar në një shtëpi, janë shfaqur gjithmonë përdore në daljet publike, kanë ndarë me ndjekësit e shumtë udhëtimet e bukura nëpër botë, flisnin shpesh për martesë dhe për fëmijë. Floriana dhe Tedi janë konsideruar si një nga çiftet më të konsoliduara në radhët e të njohurve.
Bukuroshja e ekranit Floriana Garo në intervistat e saj të ndryshme, shpesh është shprehur se nuk është e largët dita kur ajo dhe i fejuari i saj Tedi Ngjela do të martohen. Megjithatë duket se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Bëhet me dije se çifti vitin e fundit e ka kaluar me zënka, që, me sa duket, kanë qenë të pariparueshme për marrëdhënien e tyre. Miqtë pranë tyre flasin se ftohjet kanë kohë që kanë nisur, duke vështirësuar kështu bashkëjetesën. Burimet flasin se konfliktet kanë nisur fillimisht për shkak të angazhimeve të shumta që dy të rinjtë kanë pasur. Floriana i ka kushtuar shumë kohë punës së saj, duke lënë kështu disi në hije lidhjen me partnerin.
Aktualisht bukuroshja është në rolin e moderatores në “Jo vetëm modë”. Format ky që për nga rëndësia, i merr shumë kohë dhe prezantueses, duke qenë se i është dashur të udhëtojë dhe të ndjekë nga afër çdo gjë që ka lidhje me emisionin. Nga ana tjetër, edhe Tedi ka qenë mjaft i zënë me angazhimet e shumta në biznes. Si Floriana, edhe Tedi, kanë tentuar disa herë të shkëputen nga rutina e ditës, duke udhëtuar shumë shpesh me njëri-tjetrin, por, me sa duket, nuk kanë mundur ta shpëtojnë fejesën. Burimet flasin se në disa raste, djali i biznesmenes Shefikat Ngjela, i kishte kërkuar bukuroshes të hiqte dorë nga punët e shumta. Ndërkaq, në daljet e saj publike, ajo ka folur edhe për planet për martesë, duke u shprehur se nuk do të ishte e largët dita kur do ta kurorëzonte dashurinë e saj me një ceremoni martesore. Ne të “Bluetooth” tentuam të kontaktonim me Floriana Garon, por ka qenë e pamundur, pasi ka fikur telefonin, duke mos dashur kështu të japë shumë detaje.
Pas ndarjes, Floriana shijon drekën me Odeta Nishanin
Të shumtë ishin ata që menduan se pas ndarjes, Floriana do të largohej për disa ditë nga Shqipëria, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Jo më larg se ditën e djeshme, moderatorja simpatike ka shijuar një drekë mes miqsh, ku ndër të tjera e pranishme ka qenë edhe zonja e parë e vendit, Odeta Nishani.
Floriana, së bashku me bashkëshorten e presidentit, ka qenë në shoqërinë e Fejzi Hajdarit, president i gazetës maqedonase “Lajm”, asistentin e tij Isen Saliu si dhe producentin Sokol Guga. Të pranishmit kanë rrëfyer se prezantuesja e “Jo vetëm modë”, ka qenë në një formë të shkëlqyer fizike dhe përgjatë gjithë drekës është fokusuar te projekti i radhës. Me sa duket ka menduar ta kalojë këtë ndarje me punën e madhe dhe suksesin që e pret.
Floriana Garo: U ktheva nga Amerika vetëm për të fejuarin
Në një intervistë dhënë disa kohë më parë, Floriana fliste për lidhjen me Tedin, duke theksuar se ai ishte arsyeja e vetme pse la SHBA-në për t’u kthyer në Tiranë. “Nga Amerika u ktheva, sepse u njoha me të fejuarin tim, dhe ai ka qenë arsyeja e vetme që më bëri të kthehesha. Pastaj u kthyen dhe prindërit.
Im atë është pedagog, kurse ime më mjeke. Ata asnjëherë nuk arritën të ambientoheshin plotësisht me vendin. Për herë të parë u pamë në një ‘club’ këtu në Tiranë që është në pronësi të tij. Pastaj ai më shkroi në ‘Facebook’ dhe pas disa javësh e lamë të takoheshim në Nju-Jork. Ai erdhi të më takonte dhe prej asaj kohe jemi bashkë. Nuk e mohoj që e dua shumë. Përkrah tij jam vërtet e lumtur”.
Marrë nga BalkanWeb