Floriana Garos mesa duket nuk i ka pëlqyer përkufizimi “vajza e famshme e motit” që Olti Curri i ka bërë në faqen e tij në Facebook ndaj ajo ka vendosur t’i kundërpërgjigjet duke u shprehur se ajo është “AUTORE dhe MODERATORE” e emisionit “Jo vetëm modë”.
E gjitha nisi nga një ankesë e një vajze në adresë të faqes së Olti Currit. Ajo denonconte faqen e emisionit “Jo vetëm modë” se i kishte fshirë një koment kritikues mbi spektaklin “Miss Universe Albania” që u shfaq të dielën në televizionin “Klan”.
Floriana Garo ishte në jurinë e spektaklit që moderohej nga drejtori i programacionit, Albert Dumani. Shoqëruar me postimin “screenshot” të komentit origjinal, Olti shtoi: “Në faqen e emisionit “Jo vetëm modë”, që transmetohet në Tv Klan ku autor është Albert Dumani dhe moderatore vajza e famshme e motit Floriana Garo, është bërë një pyetje mbi fituesen dhe spektaklin e porsatransmetuar Miss Universe Albania dhe mes komenteve të ndryshme, ishte edhe njëri që e kritikonte ashpër. Miq të faqes sinjalizuan madje duke dërguar foto për të faktuar që adminët e kësaj faqeje e kanë fshirë komentin që i bënte një analizë specifike dështimit të këtij spektakli, gjithmonë sipas mendimit të personit në
fjalë…”
Kjo e nxiti Florianën, e cila deri më sot nuk është përfshirë kurrë në debate, të reagonte duke shkruar: “Olti Curri boll promovove negativitete se nuk i bëjnë mirë ndjekësve të tu! Kjo vajza e famshme e motit siç thua ti është AUTORE dhe MODERATORE e formatit ‘Jo vetëm modë’. Faqja administrohet nga disa persona dhe nëse i ka fshirë dikush komentet negative dhe me mllef si puna e këtyre që bën ti, mirë kanë bërë!”
Komentit të saj i është përgjigjur vetë Olti Curri i cili ndër të tjera i shkruan: “Sa për motin, e
ke gabim që e paragjykon, aty more famë në këmbë, pastaj e rehatuar te kolltuqet e ‘Opinion’.”
Por reagimi i moderatores së “Jo vetëm modë” duket se nuk u përkrah nga asnjë ndjekës i faqes së Olti Currit. Disa madje duket se gjetën mundësinë të kritikojnë jo vetëm Garon, por edhe emisionin. “Mëso mos të të vijë turp për punën që ke bërë më përpara edhe pse ndonjë arritje më të madhe s’ke bërë tani,’ i ka shkruar Garos Emiliana, një prej komentuesëve. Ndërkohë që një tjetër, Suela, shton se emisioni “Jo vetëm modë” është një kopje e shtirur e “Non solo moda”që transmetohet në Itali. Floriana nuk ka reaguar më pas.
E vërteta është se “Jo vetëm modë” është një patentë e blerë nga “Non solo moda” dhe jo kopje. E nisur dy vite më parë nën moderimin e Floriana Garos, ky emision trajton tema të lehta nga fushat e “shoëbiz” dhe “lifestyle”. Floriana e nisi karrierën e saj televizive duke prezantuar motin në “ABC News” dhe e ka bërë këtë paralelisht me “Jo vetëm modë” gjatë gjithë kësaj kohe
Marrë nga Anabe