Vendndodhjen, artistëve si Flori Mumajesi është e vështirë t’ua përcaktosh. Sapo e sheh në një koncert, ai shfaqet në një tjetër – sa në Shqipëri, në Kosovë, diasporë, po aq edhe përtej oqeanit. Flori dhe studio e tij muzikore Threedots janë gjatë gjithë kohës në udhëtim me muzikën e tyre. Rrallëherë, në ndalesa si këto, rasti “për t’i kapur” nuk duhet humbur.
Këtë herë, kantautori i njohur është në Tiranë dhe stacioni i radhës është Tv Klan. Hera e fundit kur Florin e kemi parë pranë këtij ekrani ishte sezoni i kaluar ku ai ishte i ftuar për të qenë pjesë në rubrikën “Për drekë me mua” në “E diela shqiptare.”
Ndërsa këtë herë, arsyeja e rikthimit në Tv Klan është një tjetër. Nga sa kemi mësuar nga burime ekskluzive, kantautorin do të shohin shumë shpejt në ekran, por vendi mbetet akoma sekret.
Shumë programe të reja kanë nisur tashmë sezonin, të tjera pritet të nisin së shpejti, po ku do të jetë i ftuar Flori, akoma është mister. Do të jetë pjesëmarrës në ndonjë program të ri apo do të jetë i ftuar në ndonjë tjetër? Akoma nuk dihet asgjë me siguri.
Për momentin, e sigurt është që sa herë ndalet në Tv Klan, ka shumë miq për të takuar. Në hyrje të televizionit, Flori këtë herë ka takuar Alketa Vejsiun, mikeshën dhe bashkëpunëtoren e tij të vjetër. Dy miqtë kanë përfituar nga rasti i këtij takimi për të përshëndetur njëri-tjetrin për produksionet respektive, por po ashtu, siç ndodh ngaherë, edhe të kujtojnë kohët e vjetra, kur Flori kompozonte këngët e Alketës në kohën që ajo prezantonte në festivale.
Është gjithmonë bukur të rikthehesh dhe të takosh miqtë e vjetër, me të cilët bisedën e vazhdon aty ku e ke lënë herën e fundit…