Mënyra e votimit në “Kënga Magjike” ka ngjallur gjithnjë diskutime e çdo edicion i këtij festivali shoqërohet me debate të shumta, sikundër ka ndodhur edhe këtë vit. Mbrëmjen e sotme Flori Mumajesi ka reaguar lidhur me një shkrim të Kozeta Kurtit, e cila ishte anëtare këtë vit e jurisë së “Kënga Magjike”. Në shkrimin e saj, publikuar ditën e dielë, një ditë pas finales, ajo shprehte rezervat e saj për mënyrën e votimit , duke shkruar madje se “po nuk bëre numra je jashtë festivalit“. Teksa më tej, shkruante për fituesin e këtij edicioni Alban Ramosajn “A është Alban Ramosaj këngëtari më i mirë i Festivalit? Jo, nuk është! A e mbrojti dot këngën? Jo, nuk e mbrojti.” E pikërisht këto pasazhe kanë prekur edhe Florin, i cili në një status në rrjetet sociale shkruan se ky shkrim është i nxitur nga mllefi kolektiv.
“Një shkrim i nxitur nga mllefi kolektiv. Ftoj të gjithë syleshet që morën pjesë në festival që nga fituesi e deri te ata që nuk patën mundësi të kualifikohen të mos ndihen sylesh. Kam shkëputur nga shkrimi vetëm thikat e panevojshme. Çfarē arrogance për gjithē ne syleshat që ngelëm në dorën tënde të na votosh dhe të na vendosësh epitete më pas. Bravo! Të lumtë! Mbase e meritojmë të na votosh si të duash por pas kësaj të lutem mos e mpreh shpatën pa numëruar deri në 10. Si mikeshë që tē kam edhe pse nuk shquhem për të numëruar deri në 10 po e bëj.”-ka shkruar Flori.
Kujtojmë se edhe të dielën në “Post Kënga Magjike”, mënyra e votimit u diskutua edhe nga producenti i festivalit Ardit Gjebrea i cili tha se është një metodë e diskutuar në detaje. Duke u ndalur te fituesi, Albani, Arditi tha se ai ishte mbi 400 pikë larg nga vendi i dytë dhe nëse që të shtatë këngëtarët e tjerë të “Three Dots”, t’i kishin dhënë 0 pikë Albanit, ai gjithsesi do fitonte edhe me 210 pikë më pak.
Ndërkohë, Arditi vlerësoi faktin që Fifi dhe Bruno i dhanë zero pikë Florit dhe Klajdit e anasjelltas, duke dhënë një mesazh që nuk konkurrojnë për pikë por për të shijuar skenën dhe muzikën e krijuar nga shpirti. Veprim ky që “Three dots” e kanë bërë edhe në 2015.
“Në këtë festival ndodh gjithçka, por edhe sikur t’i jepte 30 dhe sikur edhe sikur të jepte 0 prapë nuk do ndryshonte asnjë gjë. Bëjini llogaritë, kush di të bëjë matematikë, e bën matematikën.”- përfundoi Arditi.