Një nga autorët e vjedhjes së 200 mln lekë të një biznesmeni ishte vëllai i spikeres së “Zjarr Tv”, Greta Hoxhaj. Dy autorët e ngjarjes, Donald Hoxha dhe Gentian Kane, u zbuluan nga targat e makinës që përdorën për t’u larguar pas vjedhjes së shumës së madhe të parave.
Vëllai i spikeres në dëshminë e tij ka treguar se në fakt ata të dy janë dorëzuar vetë në polici me paratë, pasi kontaktuan me një avokat. Donald Hoxha ka rrëfyer se ai ka marrë vetëm 30 mijë lekë të reja për të blerë ilaçet e babait të tij, që është i sëmurë i shtruar në spital.
“Në 22 maj kam qenë bashkë me Gentian Kanen me mjetin e motrës së tij në Yzberisht dhe deshëm që të blinim peshk aty në lagje ku banoj unë. Ne kemi shkuar te dyqani i peshkut dhe pasi kemi porositur dhe paguar peshkun, menduam të dalim nga Kristali për xhiro. Në momentin që kemi qenë tek qendra Kristal kemi parë një person që ndaloi aty me mjetin Rang Rover para hyrjes dhe bashkë me një grua kanë hyrë brenda. Unë kam parë që automjeti që u ndalua nuk iu përplasën pasqyrat, pasi si rregull, mjeti kur mbyllet i palosen edhe pasqyrat.
Pasi u siguruam që mjeti nuk ishte i siguruar me çelës, na shtyu kureshtja që të shikonim se çfarë kishte brenda. Unë zbrita për të mbajtur personat në vëzhgim, ndërsa Gentiani bëri një xhiro me makinë pasi aty nuk kishte parkim. Ai parkoi makinën ka ardhur tek Range Roveri. Në këtë moment unë kam hyrë në qendrën Kristal për të parë drejtuesin e mjetit, ndërsa nuk kam parë më se çfarë veprimesh ka bërë Gentiani. Kam dalë nga qendra Kristal, kam parë që Gentiani nuk ishte dhe e mora në telefon dhe më tha që kishte marrë një çantë në brendësi të Range Roverit dhe me tha se do të nisej për Fier.
Unë shkova të merrja peshkun që kishim porositur dhe ika në shtëpi. Të nesërmen Gentiani erdhi dhe më mori në telefon dhe kemi ikur bashkë në Fier pasi kam babain të shtruar në spital. Gjatë rrugës më shpjegoi me detaje se sa ishte shuma e madhe e parave që kishte gjetur në çantë. Menjëherë jam trembur dhe kemi menduar se si do të dilnim nga kjo situatë. Kemi kontaktuar me një avokat në Tiranë dhe i kemi thënë se kemi vjedhur disa sende dhe duam t’i dorëzojmë. Ai na tha qe ndodhej në Lezhë dhe se të nesërmen do të merremi me këtë problem.
Kam shkuar në spital për të parë babain, dhe nuk kisha asnjë lekë me vete, dhe për këtë arsye kam hequr 30 mijë lekë nga çanta dhe kam paguar ilaçet. Kemi gjetur një avokate në Fier, më ka telefonuar policia dhe na thanë që të paraqitemi në Komisariatin nr. 2. Pasi mbylla telefonatën, avokatja mori numrin e policisë dhe u tha për dorëzimin. Ajo u kërkoi që të vinin në Fier pasi nuk mund të lëviznin dot me një shumë kaq të madhe parash me vete. Pasi erdhi Policia e Tiranës në Fier, kemi dorëzuar paratë dhe na kanë shoqëruar për në Tiranë. Në momentin që Gentiani më ka thënë se në çantë ka para i kam kërkuar që t’i dorëzojmë”, ka treguar Hoxha.