Mjeku imunolog Genc Sulçebe ka rrëfyer në emisionin Rudina në Tv Klan se si ekziston mundësia që njerëzit mund të jetojnë dhe flejnë bashkë, por dikush sëmuret rëndë me Covid-19 dhe tjetri nuk ka asnjë simptomë.
Rudina Magjistari: Si ka mundësi që njerëzit jetojnë dhe flenë bashkë dhe njëri infektohet dhe tjetri jo?
Genc Sulçebe: Duhet të kemi parasysh se përgjigjia imunitare ndaj një virusi është gjenetike dhe i ndryshëm nga njëri tek tjetri, është e përcaktuar gjenetikisht. Të gjithë ne reagojmë në mënyra të ndryshme ndaj këtij virusi dhe është e pranueshme që një njeri mund të reagojë shumë fort ndaj një virus dhe tjetri shumë lehtë ose fare. Ka të bëjë dhe doza e virusit. Duke mbajtur maskën në mënyrë të vazhdueshme, ne pakësojmë në këtë mënyrë edhe sasinë e virusit që marrim. Nëse marrim një sasi të vogël virusi atëhere edhe sëmundja kalon më lehtë, po morëm një sasi të madhe virusi atëhere sëmundja kalon më rëndë.
Personat obezë apo ata me probleme diabetike dhe në përgjithësi ata me një masë të vogël muskulare e kalojnë më rëndë sesa ata që janë me një gjendje të mirë fizike. Është një sëmundje që është në progresion të drejtë me moshën, sa më e avancuar të jetë mosha, aq më e shprehur dhe më e fortë do jetë sëmundja, pra është një gjë që nuk është parë tek infeksionet e tjera.