Greqi, në një nga ishujt më të bukur, një futbollist milioner i Manchester United dhe kombëtares angleze rrihet me policët, arrestohet, deportohet dhe dënohet nga drejtësia greke. Futbollisti anglez Harry Maguire, përveç gënjeshtrave me mafie shqiptare e dhunim familjarësh, nuk mundi t’i shpëtojë një vendimi që do ta shoqërojë tërë jetën e tij si personazh i njohur.
Në Itali, Luis Suarez kërkon të marrë pasaportën italiane, jep një provim prej 20 minutash për njohuritë në gjuhën italiane, merr diplomën dhe ikën sërish brenda pak orësh nga Perugia, ku ai zhvilloi testimin. Pesë ditë më pas, për këtë provim blitz plasin thirrjet në Prokurori pas hetimeve të Prokurorisë dhe Guardia di Finanza. Përgjimet e profesorëve tregojnë se provimi ishte i parapërgatitur, Suarez nuk fliste asnjë fjali korrekte në italisht, nuk dinte të shkruante dhe nuk arrinte të zgjedhonte në asnjë kohë asnjë folje.
Skandali deri tani ka prekur Universitetin e Perugias, por nuk është çudi që drejtësia të shkojë edhe më tej e të zgjerohet te shoqëria-klubi që organizoi provimin, ndërmjetësit që “blenë” profesorët dhe ndoshta deri tek vetë multi-milioneri Suarez.
Në Shqipëri, vajza të shoëbizz-it, që shfaqin hapur jetën e shfrenuar të luksit, shoqërohen gjithmonë me “biznesmenë” që operojnë në kufirin gri të ligjshmërisë, që jeta që bëjnë, udhëtimet, hotelet, makinat e shtrenjta që i ndërrojnë një herë në 6 muaj, vështirë se justifikohet me punën që reklamojnë si këngëtare, apo modele, arrijnë të dalin të paprekura, edhe kur kapen në aktivitete të paligjshme.
I tillë është rasti i Fjolla Morinës, e cila u kap me dy pistoleta në çantë teksa udhëtonte nga Kosova drejt Shqipërisë, pa një alibi bindëse për armët që kishte me vete në makinë, më gënjeshtra për shtatëzëni në gjykatë dhe që në fund të ditës arriti të merrte arrestin e shtëpisë deri në përfundim të hetimeve.
Në këtë ditë, në këtë javë, apo në këtë muaj duhet të ketë edhe të paktën ndonjë rast tjetër në Shqipëri, kur policia ka kapur me armë pa lejë ndonjë tjetër shtetas, që nuk është kaq i famshëm sa Fjolla Morina, që nuk i lejon dot vetes një avokate si të sajën, rasti i të cilit është banal dhe nuk është kaq mediatik, por që edhe në këto momente është duke pritur përfundimin e hetimeve në burg. Me të drejtë, sepse ashtu e shkruan ligji shqiptar, ku masat për armëmbajtje pa leje janë forcuar disa herë këtë dekadën e fundit… vetëm se jo për Fjollën, apo shoqet e saj.
Të gjithë janë të barabartë përballë ligjit, por disa, ata që ta përplasin arrogancën dhe paranë e pajustifikuar në fytyrë, në çdo moment, nga Instagrami, apo Facebook-u, janë më të barabartë se të tjerët. Nëse ky është rezultati i reformës në drejtësi deri tani, ishim më mirë me drejtësinë e vjetër. Atëherë të paktën e dinim dhe ishim shumë të qartë që jo se nuk kishte drejtësi…drejtësi kishte, por kushtonte pak shtrenjtë./SI