Ja ku po mbaron një tjetër vit së bashku. Së bashku në të njëjtin vend, të njëjtin qytet, të njëjtin kremtim të fundvitit, ku njësoj si një vit më parë, jemi mbledhur për të njëjtën arsye. Dhe mua, si mikpritësi juaj më takon t’ju sajdis me të njëjtin respekt të posaçëm, jo vetëm përmes gostisë së përgatitur me po të njëjtin kujdes të madh në nderin tuaj, po edhe përmes kësaj fjale përshëndetëse të shkruajtur me të njëjtën dëshirë si një vit më parë.
Dhe kjo e fundit, e njëjta dëshirë e kam llafin, është sa e mirë aq edhe e keqe në këtë marrëdhënien tonë, e për dreq, mu ku është e mira aty është edhe e keqja. Sepse, nuk më harrohet dot që dikur kam qenë mes jush, jo gazetar, Zoti na ruajt, po shkronjëtar faqesh të shtypit të shkruar, kundërshtar me qeverinë, dhe kujtesa kryeneçe e asaj kohe, më ka bërë nganjëherë ta harroj se megjithëse jam përsëri mes jush, ka kohë që nuk është më si më parë.
Unë jam mes jush tanimë si kavja kryesore e punës suaj, që duhet të pranoj pa u ndjerë bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë e me radhë…
Prandaj edhe kam bërë një zgjedhje të palavdërueshme,
Mirëpo sonte s’kisha si i ikja të mirës së keqe. Prandaj i kërkova zyrës së shtypit, të më ndihmonte për këtë fjalë me një përmbledhje të punës suaj njëvjeçare me mua si lëndë e parë e prodhimeve tuaja.
Uau!
U mahnita! Sa shumë mund kishit derdhur këtë vit, për të më bërë copa e çika dhe për të nxjerrë nga çdo copë e nga çdo çikë, konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, qëllimet e mia infantile, dëshirat e mia të cekëta, synimet e mia të zymta, deformimet, komplekset, fanepsjet, frikërat, halat në syrin tim, gjëmimet në veshët e mi, ngacmimet në hundën time, të fshehtat në gjak, bark, mushkëri, … Madje edhe në bisht! Sa shumë analiza, diagnoza, prognoza në vetëm një vit ku pa e ditur as vetë, paskam mbretëruar, sunduar, shtypur, grabitur, djegur, shkatërruar, dhe oh, ç’qejf o qejf paskam bërë me sejmenë, teveqelë, bufonë, kllounë, akrobatë, valltarë, rreth zjarrit të madh të ferrit që e ushqekam me trupat e të varfërve.
Sa shumë fjalë kishit thurur papushim për një vit rresht, për të provuar se sa i telendisur, i kapur, i korruptuar, i pafuqishëm, madje… më falni po është citim, i menderosur qenkam, fraxhil dhe i shantazhueshëm deri në atë farë dhimbjeje, sa nuk kam ç’i bëj gomarit e i bie samarit, në një përpjekje të kotë për të blerë kohë në ndërkohën që fati im qenka i shkruar si mos më keq.
Sa shumë larg ju kishte çuar përkushtimi për të vërtetën, që të arrinit të zbulonit se dëshpërimi im për pushtet ka kapërcyer kufijtë e çdo imagjinate, dhe i bashkuar me dëshpërimin tim prej artisti të dështuar, ka krijuar një Frankeshtajn që po mbyt Shqipërinë me terror taksash e gjobash, i cili po i jep qyteteve tona konturet e çuditshme të shtëpisë sime në Surrel, ku ka një fakt tronditës që edhe i vetëm mjafton për të kuptuar se sa larg shkon vizioni im: Nuk ka dritare!
U mahnita vërtet nga ç’më lexuan sytë, s’ka asnjë rëndësi nëse autorët që pata rastin të lexoj s’do ta besojnë se sinqerisht u mahnita. Dhe dua t’i falenderoj për gjithë luftën e fjalëve pa kufi që kanë bërë, në përpjekjen njëvjeçare për të më bërë copa e çika, e për të nxjerrë nga çdo copë e çikë një provë therëse të asaj që unë jam.
Do të vazhdoj të mbetem me stoicizëm kavja juaj kryesore, duke pritur me kërshëri të madhe fundin e vitit tjetër për të lexuar gjetjet e vitit që vjen, përgjatë të cilit do të mundohem t’ju jap arsye të reja që të bëni analiza të reja, të gjeni diagnoza të reja, të nxirrni konkluzione të reja dhe ta pasuroni me gjetje të reja librin e shënimeve tuaja.
Por edhe në mos mundsha unë t’ju gjendem me të reja, ju tanimë e keni provuar botërisht se jeni kaq thellë brenda meje dhe i zbuloni kaq symbylltaz të gjitha paramendimet e prapamendimet, sa jam i bindur do t’i gjeni vetë.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre ndër ju që nuk janë marrë shumë me mua, që vëmendjen kryesore në këtë fjalë ma morën ata që aq shumë janë marrë me mua. Por s’desha të bëj një fjalë të gjatë nga ato të zakonshmet që i keni aq shumë bezdi. Dhe sinqerisht, s’keni faj, sidomos ata që kanë hyrë kaq thellë brenda meje e kanë parë kaq shumë gjëra në brendinë time, sa s’kanë nevojë për asnjë fjalë më shumë nga ana ime për të thënë shumë fjalë të tjera nga ana e tyre.
Gjithësesi, përtej të gjithës e të gjithave, nga lartësia e një detyre që më ka mësuar edhe ndonjë gjë që ju s’keni pasur kohë ta zbuloni, lejomëni t’ju them që përkohshmëria jonë në këtë botë është kaq e shpejtë, sa nuk ka asnjë kuptim ta jetojmë duke harruar të qeshim me njëri – tjetrin dhe t’i buzëqeshim njëri – tjetrit. Sa më shumë!
Gëzuar!