I njohur si “shqiptari me shpirt bullgari”, Kadeli është krijuesi i një platforme të njohur në internet, e quajtur: “Miq, ndihmoni!”, të cilës i janë bashkuar jo pak, por më shumë se 80 mijë persona.
Ai ka 15 vjet që jeton në Bullgari, ndërsa në 5-së vitet e fundit i është përkushtuar idesë për të gjetur sa më shumë qytetarë bullgarë që t’i bashkohen kësaj iniciative për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre në nevojë.
“E mira fiton gjithmonë dhe nëse arrin të ndryshosh një person për mirë, atëherë ke arritur të ndryshosh të gjithë botën”, kjo është filozofia e tij e jetës, që siç duket po e shtyn të ecë përpara.
Bullgarët që jetojnë jashtë vendit, përgjigjen më shpejt. Ata angazhohen sipas mundësive të tyre, duke dhënë donancione personale, punë pa pagesë, apo duke ndihmuar në transport.
Kjo platformë interneti arriti t’u përgjigjet kërkesave të familjeve më në nevojë, ku shumë prej tyre s’kishin mundësi të paguanin as faturat e shtëpisë, për disa invalidë u blenë karrige me rrota dhe për shumë familje të tjera u blenë drutë e zjarrit apo pako ushqimore.
E thënë shkurt, kjo iniciativë ka ndihmuar më shumë se 9 mijë qytetarë në Bullgari. Dhe nuk është pak.
“Për shumë njerëz kjo mund të konsiderohet një ndihmë e vogël, por për ata që s’kanë, kjo është gjithçka”, tha Leo Kadeli gjatë një interviste për BNR, ndërsa ishte i nominuar për çmimin Iluministi i kohës.
“Ne kemi rikonstruktuar mbi 300 shtëpi për njerëzit në nevojë, kemi blerë shumë mobilie dhe gjithça është arritur pa sponsorizime, pa reklama, vetëm me punën dhe fondet personale”, tha ai.
Pandemia Covid-19, me shumë gjasa, arriti t’u krijojë shumë njerëzve mundësinë për të reflektuar mbi të tashmen dhe të ardhmen, lidhjet shoqërore, mundësitë dhe kapacitetet e tyre.
Kadeli arriti të kuptojë një ndryshim thelbësor tek njerëzit, të cilët u bënë më të ndjeshëm dhe kërkonin një angazhim për t’u investuar për mirë në shoqëri.
Kështu grupit “Miq, ndihmoni!” iu bashkuan njerëz me profesione të ndryshme, mes tyre edhe profesorë, politikanë, drejtorë shkollash dhe shumë të tjerë.