Sot, datë 30.09.2020, në mesditë, në 4 qarqe të vendit, në Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë janë mbyllur të gjitha transmetimet televizive analoge.
Kalimi nga analogu në numerik në këto qarqe është vijim i procesit të digjitalizimit që më herët ka ndodhur dhe në qarqet e Tiranës, Durrësit, Beratit, Korçës dhe Fierit. Ashtu siç është përmendur nga AMA gjatë fushatës së informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për procesin e digjitalizimit, kalimi nga analogu në numerik ofron cilësi shërbimi dhe shumëllojshmëri programesh për qytetarët, si dhe nxit interaktivitetin e rrit konkurrencën në treg mes operatorëve audiovizivë.
Digjitalizimi i transmetimeve audiovizive rrit dhe numrin e kanaleve pa pagesë që përfitojnë qytetarët. Kështu, banorët e qarkut Shkodër shikojnë aktualisht 37 kanale pa pagesë, ata të qarkut të Vlorës 36, të Elbasanit 33 dhe qarkut të Lezhës 32 kanale.
AMA falenderon subjektet audiovizive kombëtare dhe lokale e rajonale për angazhimin në finalizimin e procesit të digjitalizimit në 4 qarqet.