Ajo është një regjisore e re që po ndërton karrierën e saj në Londër. Ishte e vogël kur kishte shkuar si refugjate nga Shqipëri në Londër, e tashti, pikërisht kjo temë po e rikthen atë në vendin prej ku edhe kishte dalë. Ornela Peku është në prag të realizimit të filmit “Granatë”, i cili është i bazuar në ngjarje të vërtetë, pikërisht në vitet e 90-ta, kur edhe kosovarët është dashur ti lëshojnë shtëpitë e tyre. Në një intervistë për KultPlus, Peku ka folur rreth këtij projekti duke besuar që do ta prezantoj në gjithë Evropën, por edhe në Amerikë. Me ekipin londinez, në muajin mars ajo do të zbres deri në Shqipëri, që të marr filmimet e këtij rrëfimi për t’ia treguar më pas edhe botës
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Keni lindur në Shqipëri, jeni rritur në Londër por jeni në prag të realizimit të një filmi për Kosovën, një rrugëtim që prapë se prapë të kthen te shqiptarët, pse?
Ornela Peka: Unë vizitoj Shqipërinë për çdo vit. Unë e kam dashur gjithmonë Shqipërinë, natyrën e saj. Pastaj mikpritja e njerëzve atje më bën që unë gjithmonë të kthehem. Unë do të bëj një film në vendlindjen time, në lidhje me një histori që shumë vende të botës do ta kishin bërë, atëherë pse mos ta bëj.
KultPlus: Filmi “Granatë”, do të filloj me xhirime në muajin mars, na flisni më shumë për këtë projekt që po të sjell nga Londra në Shqipëri?
Ornela Peka: Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, që ka ndodhë në vitet e 90-ta, atëherë kur ka qenë edhe problemi i refugjatëve të Kosovës. Faktikisht është një film dokumentar por unë do ta bëj edhe artistik. Që do të angazhohen edhe aktorë për këtë film. Pjesa e parë e filmit do të xhirohet në Londër, ku do të luaj një aktor anglez, kurse pjesa tjetër që do të xhirohet në muajin mars në Shqipëri , do të luhet nga aktorja kosovare, Ilire Vinca. Filmi për bazë ka refugjatët, duke u bazuar edhe në atë, se e njëjta situatë ka përfshirë gjithë ish Jugosllavinë, por edhe një pjesë të konsiderueshme të botës. Unë isha në Madrid deri sa po mendoja për këtë çështje, kur dëgjova edhe rrëfimet e gjyshes sime, rrëfimet e saja goditën te unë.
KultPlus: Filmi trajton problemin e refugjatëve, na flisni më shumë për këtë çështje, të qenit vetë refugjate të ka bërë të jesh më e ndjeshme me këtë temë, apo vetë problemet e kësaj çështjeje në nivel global ju kanë rrëmbyer edhe juve?
Ornela Peka: Mërzitem shumë kur i shoh refugjatët të cilët ia mësyjnë Evropës për një jetë më të mirë. E kuptoj shumë mirë këtë ndjenjë, pasi që edhe unë bashkë me familjen time kemi qenë refugjatë dhe e di sa kemi vuajtur deri sa kemi mare këmbët. Filmi pikërisht ka qëllimin e rrëfimit se fëmijët refugjatë vuajnë prej paragjykimeve, dhe, pikërisht këta fëmijë janë ata që duan ndryshimin. Dhe e dyta është ajo se po nëpërmjet filmit do të tregohet edhe se si shoqëritë ndryshojnë në mënyrë pozitive, pikërisht nëpërmjet refugjatëve.
KultPlus: Në mediet e huaja keni deklaruar se jeni duke punuar që këtë film ta prezantoni edhe në festivale prestigjioze, si ai i Cannes, sa besoni në ëndrrën tuaj?
Ornela Peka: Filmin do ta prezantoj nëpër Evropë dhe me shpresë se do të depërtoj edhe në Amerikë. Përpos që po synoj të promovoj punën time si regjisore është edhe qëllimi i asaj që të vë Shqipërinë në harta të rëndësishme kulturore, me shpresë edhe për të rifituar imazhin pozitiv që ky vend e meriton.
KultPlus: Duke pas parasysh se jeni shqiptare dhe se mund të njihni më thellë mentalitetin ballkanik dhe në anën tjetër jeni shkolluar për regjisore në një nga metropolet më të mëdha botërore, duke u bazuar në këtë gërshetim, sa mendoni se jeni më e pasur profesionalisht për të nxjerrë rrëfime ballkanike, që pak mund të jenë të njohura nga perëndimi?
Ornela Peka: Unë jam rritur si një shqiptare por që jeton në Londër, ku jam ekspozuar po në këtë qytet që vlerësoj të jetë më i hapuri në botë, pasi që më ka pranuar, duke e përfshirë edhe mentalitetin shqiptar. Pikërisht kjo përvojë, të qenit shqiptare dhe të rritesh në një frymë londineze ka bërë që çdo situatë ta shoh prej dy këndvështrimeve, që vlerësoj të jetë shumë e dobishme, sidomos në punën e një regjisoreje.
KultPlus: Edhe pse, krejt në fillim të karrierës, do të guxoje të bëje publike se deri ku prek imagjinata në raport me filmin?
Ornela Peka: Filmi është mediumi më i fuqishëm. Ambiciet e mia janë që të krijoj projekte që mund të shërbenin në edukim dhe të njëjtit të ndihmojnë edhe në hapjen e mendjeve të individëve të mbyllur. Por edhe që njerëzit të ndihen mirë në një film prej një ose dy orë, ku nëpërmjet tij mund të shohin botën e tjetrit.
Marre nga KultPlus