Aktori i njohur hollywoodian, Tom Hanks, e fillon një rrugëtim të madh për ta gjetur një shtëpi të re për qenin dhe robotin e tij të sapokrijuar, në filmin e ardhshëm “Finch”.
Projekti që vjen me regji të Miguel Sapochnikut, e sjell aktorin veteran në rolin e protagonistit Finch. Ai është një inxhinier i robotikës dhe një aventurier, i cili në botën pothuajse të shkatërruar, provon ta gjej një vend të sigurt për të jetuar me familjen e tij jo të zakonshme. Finch është një prej të mbijetuarve të paktë të një ngjarjeje kataklizmike diellore, që e ka lënë botën një djerrinë.
Por Finch, i cili jeton në një bunker nëntokësor për një dekadë, e ka krijuar një botë të tijën që e ndan me qenin e quajtur Goodyear. Ai e krijon një robot të cilin e quan Jeff, për t’u kujdesur për qenin e tij në rast se ai vdes. Kështu, kjo familje tre anëtarëshe e nisin një rrugëtim nëpër Amerikë, me qëllim që t’i tregojnë Jeffit se çfarë do të thotë të jesh i gjallë.
“Finch” do të jetë i disponueshëm në platformën “Apple TV+”, më 5 nëntor të këtij viti.