Filmat me temën e Krishtlindjes janë bërë pjesë e pandashme e atmosferës festive të fundvitit, e ata të vjetrit mbeten gjithmonë të preferuar.
Kreun e listës, sipas Institutit amerikan të Filmit vazhdon ta mbajë të pushtuar filmi i vitit 1947, “Një jetë e mrekullueshme”, realizim i regjisorit Frank Capra, i cili rrëfen historinë e George Baileyt, një burrë zemërgjerë që përfundon në falimentim.
Kur George-it, të interpretuar nga James Stewart, i mërzitet jeta dhe uron që më mirë të mos kishte lindur, para syve i shfaqet një engjëll, Clarence.
Engjëlli i përmbush dëshirën, duke i treguar sesi do të kishin rrjedhur ngjarjet sikur ai të mos kishte lindur kurrë.
George e kupton sesa e zymtë është ekzistenca – pa të, – për njerëzit e tij të afërt, e ndien sa e shtrenjtë është jeta dhe vendos të kthehet pranë familjes.
Miqtë e të dashurit mblidhen për ta ndihmuar dhe e nxjerrin nga falimentimi. Për rolin e tij, Clarence merr në fund krahët e engjëllit.
Në listë nuk mungon as “I vetëm në shtëpi”. Komedia rrotullohet te dëshira e 10-vjeçarit Kevin McCallister, që e gjithë familja e tij të zhduket, për t’u zgjuar më pas i vetëm në banesën e mësyrë nga hajdutët. Filmi është praktikisht një garanci për të qeshura pa fund.
Ndër më të preferuarat rreshtohen edhe të tjera komedi, si “Elfi” me Will Farell dhe “Santa Klausi” me Tim Allen, filmi i animuar i Tim Burton “Makthi përpara Krishtlindjes”, e sado e çuditshme të tingëllojë, duket se në këtë periudhë të vitit, amerikanët të paktën i kthehen sërish “Die Hard”-it me Bruce Willis protagonist.
Në fund të fundit, përpjekjet e efektivit të policisë së Nju Jorkut, John McClane, për t’u pajtuar sërish me bashkëshorten ndodhin pikërisht në kohë Krishtlindjeje.
Top Channel