Florjan Binaj është një ndër personazhet publikë që u përball me COVID-19. Fatmirësisht, çdo gjë shkoi mirë dhe pas 14 ditësh, rezultoi negativ në testin e dytë. Si ishte kjo eksperiencë? Ai ka treguar gjithçka në një rrëfim për Top Story, ku shprehet se mënyra si ndodhi gjithçka ishte e vështirë për t’u besuar.
Ai dhe familja e tij u nda për 14 ditë, duke jetuar në apartamente të ndryshme për të shmangur rrezikun e përhapjes. Si prind, ndjesia që i mungontë më shumë ishte përqafimi i fëmijëve: “Ishin shumë ditë të sikletshme. Shiheshim në mënyrë virtuale, por ajo ndjesia e të përqafuarit të fëmijës tënd ishte aq “ngrënëse” brenda teje sa mezi pritëm përgjigjen negative.”
Momenti më i vështirë për të nuk ka të bëjë me eksperiencën e tij, por me humbjen e një miku të mirë që nuk arriti të fitonte betejën me COVID-19. Fakti që një person i shëndetshëm u sëmur aq rëndë dhe ndërroi jetë, e bëri të besonte sa serioz ishte COVID-19 dhe të kishte frikë prej tij. Ndër të tjera, Flori ka treguar që pjesa më acaruese mbeten pyetjet e njerëzve:
“Gjëja që më ka acaruar më shumë kanë qenë pyetjet e njerëzve. Pyetja më idiote ka qenë “ku e more?”. Pyetja tjetër ishte “A na e ke ngjit ti neve?”. Më pyesnin në Instagram sidomos: “Përshëndetje Flori, kam 37 e dy vija, a jam me korona?”. I thoja unë nuk jam tampon, unë jam njeri si gjithë të tjerët.”