Kundërshtitë nga publiku për deklaratën “Burri vritet me burrë” të Filip Çakulit, në spotin sensibilizues të “Top Channel” “Mos i vrisni vajzat”, e ka bërë drejtorin e “Fiks Fare” të reflektojë. Pas botimit në gazetën “Panorama” të një shkrimi, ku lexuesit refuzonin ta shpërndanin këtë spot për shkak të kësaj deklarate të Çakulit, është vendosur të hiqet fare kjo fjali nga spoti që transmetohet në ekran. Edhe pse ai shquhet për satirën dhe frazën e gjetur, në këtë rast duket se mes personazheve të tjerë të njohur të ekranit, fjalët që kishte zgjedhur për të ndalur dhunën ndaj femrës tingëlluan të tepërta. Lexuesit në rrjetet e ndryshme ku është postuar ky spot televiziv, e konsideruan këtë fjali jonormale. Tashmë në spotin ekzistues nga varianti i parë “Mos i prekni vajzat, burri vritet me burrë jo me grua”, ka mbetur vetëm pjesa e parë. “Top Channel” bashkoi për këtë kauzë sociale të Filip Çakulit edhe Alketa Vejsiun, Miriam Çanin, Alban Skënderajn, Alban Dudushin, Ardit Gjebrenë, Xhemi Shehun, Ermal Mamaqin, Elvana Gjatën, Amarda Toskën, Eno Popin, Ledion Liçon, Aurela Gaçen dhe Arbana Osmanin.
Burimi | Panorama