Rikthehet serish shqetësimi i qarkullimit të infeksionit COVID në institucionet e vuajtjes se dënimit. Një rast i ri me koronavirus është regjistruar të shtunën në Fier. Mësohet se një infermiere e burgut të Fierit ka rezultuar pozitive pas tamponit të marrë.
Ende nuk dihet se ku është infektuar infermierja, por pasi ka rezultuar pozitiv , ajo është izoluar në banesën e saj pasi ka shfaqur edhe simptoma të virusit. Gjithashtu, janë izoluar dhe disa kolegë të saj në burg, si dhe të burgosur, të cilët kanë marrë shërbime nga infermierja.
Shpërthimi i pandemisë “Covid-19”, bëri që Ministria e Shëndetësisë të kërkojë marrjen e masave edhe për sistemin e burgjeve. Shtimi i kapaciteteve mjekësore si dhe rritja e masave higjeno-sanitare ishte ndër kërkesat kryesore, por aktualisht në institucionet e vuajtjes së dënimit gjenden dy deri në tre mjekë, aq sa ishin edhe para pandemisë.