Edhe tre ditë dhe Festivali i 56-të i Këngës në RTSH do të ngrejë siparin e tij.
Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit.
Ajo që feks më tepër është skena shkëlqyese, me një hark magjik në ngjyra të arta dhe argjendta, krijuar nga skenografi Alban Çifligu, skenë që tashmë është në përfundim e sipër.
https://youtu.be/yvH93f3H0hw
Ngado në skenë po punohet për ndriçimin, zërin, për gjithë konceptin regjisorial që mban një emër të madhe të sigurt për suksese, atë të Pali Kukes.
Mjeshtri gjendet këto ditë tepër i ngarkuar pranë gjithë bashkëpunëtorëve të Radio-Televizionit Shqiptar për realizimin live të këtij edicioni të 56 të festivalit.
Janë 22 këngë të reja, që në moderimin e Adi Krastës do të shfaqen për publikun në datat 21-22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.
Është thënë shpesh mbi rikthimin e emrave të njohur të muzikës së lehtë shqiptare në këtë festival.
Dhe ky edicion duket se mbledh më shumë prej tyre, ndaj dhe është quajtur edhe si: Rikthimi i të mëdhenjve!
Janë mbledhur bashkë: Manjola Nallbani, Redon Makashi, Elton Deda, Endri dhe Stefi, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Eugen Bushpepa, Voltan Prodani, Evans Rama etj.
Prej disa kohës këngët në garë, fituesja e të cilave do të përfaqësojë Shqipërinë si çdo vit në Festivalin Europian të Këngës, mund të shihen paraprakisht në faqen zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar, www.rtsh.al, si edhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në youtube, ku mund të klikohen klipet prezantuese.
Njëzet e dy këngët do të transmetohen jo vetëm në programet e Radio-Tiranës, por edhe në rrjetin e radiove që i janë bashkur festivalit këtë vit, si Club FM, IN Radio, City Radio, NRG Radio dhe MCN Radio.
Ndërkohë që nata e parë e festivalit po afron, i ftuar nderi në këtë natë do të jetë kantautori i njohur italian, Riccardo Cocciante, por sipas organizatorëve, çdo natë do t’i ngjajë një nate finale për nga bukuria e spektaklit.
Për ata që dëshirojnë të ndjekin nga afër festivalin: Si çdo vit, biletat shiten pranë RTSH dhe Pallatit të Kongreseve!