Personalitete të jetës artistike në Shqipëri në fushën e muzikës, letrave, si dhe artit skenik, kanë zbardhur disa prej detajeve të Festivalit të 62 të Këngës në RTSH, që është ngjarja më e rëndësishme muzikore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha trojet shqiptare.
Drejtori artistik i Fest 62, Bojken Lako, skenaristi i këtij eventi, Enkel Demi, kantautori dhe një prej figurave të spikatura të muzikës shqiptare, Elton Deda, prezantuesja Adriana Matoshi, si dhe regjisori i njohur Pali Kuke, do të jetë ekipi i cili do të realizojë ngjarjen e shumë pritur muzikore. Ndërsa drejtor i Fest 62 do të jetë drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza.
Në konferencën për shtyp zhvilluar për këtë event, Drejtori artistik i Fest 62, Bojken Lako, në fjalën e tij prezantuese theksoi jo vetëm rëndësinë e kësaj ngjarje muzikore, por edhe përkushtimin e të gjitha niveleve drejtuese në RTSH që Fest 62 të jetë në nivelin më të lartë artistik.
“Kemi filluar punën disa muaj më parë. Ka qenë një rrugëtim plot sfida deri në përzgjedhjen e materialeve në mënyrë që të kemi një paraqitje sa më të mirë të këtij edicioni”, theksoi Lako.
Enkel Demi: Juria do e ketë të vështirë
Ndërsa Enkel Demi, një figurë e njohur në fushën e moderimit të emisioneve, por edhe si shkrimtar, do të jetë skenaristi i Fest 62. Sipas tij, ky do të jetë një edicion i jashtëzakonshëm.
“Është një ngjarje e madhe për të gjithë tregun muzikor. Festivali ka vështërsitë e veta. Kthehem si skenarist në këtë festival. Arma jonë më e fortë në këtë festival do të jetë muzika dhe këtu parashikoj që juria do yta ketë mjaft të vështirë që të zgjedhë çmimin e parë”, tha Demi.
Pali Kuke: Kush këndon në Festivalin e RTSH fama i ndjek gjithë jetën
Ndërsa regjisori i njohur, Pali Kuke, e përmblodhi famën e Festivalit që organizon RTSH me një fjali të vetme duke u shprehur se “kush shkel në këtë festival bëhet VIP i skenës tërë jetën”.
“Kjo famë i shoqëron kur hypin në këtë skenë. Është festivali ndër më të vjetrit në Evropë. Para 20 vitesh shkuam për herë të parë parë në festivalin Evropian. Ka materiale shumë të mira muzikore, por do të ketë edhe shumë show. Gjithsesi, suprizat nuk do të zbulohen që tani”, tha Kuke.
Adriana Matoshi: Fest62 është një sfidë, por mua më pëlqejnë sfidat
Adriana Matoshi, e cila vlerësohet si një nga aktoret më të talentuara të kohëve të fundit, do të jetë prezantuesja e Fest62. Sipas saj, prezantimi i ngjarjes më të rëndësishme muzikore në të gjitha trojet shqiptare, është jo vetëm një privilegj, por edhe një sfidë.
“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë Festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë.”, tha Matoshi.
Elton Deda: Të krijojmë një standard që muzika shqiptare të lëvizë në drejtimin e duhur
Muzikanti i njohur Elton Deda i cili do të jetë drejtuesit i bandit dhe pianist i festivalit të 62 të Këngës në RTSH, theksoi se me këtë event muzikor, synohet që t’i jepet një tjetër standard muzikës shqiptare.
Duke folur në konferencën e realizuesve të festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Deda theksoi se ngjarja më e madhe muzikore e vitit ka në objektiv që të lëvizë në drejtimin e duhur.
“Ideja e këtij festivali të 62’, është që ne të krijojmë një standard që ne të lëvizim muzikën e duhur shqiptare.
Ky është mesazhi im për të gjithë. Kam qenë pjesë e komisionit përzgjedhës, i larguar nga paragjykimet por i orientuar drejt muzikës pop dhe të bukur që sot e dëgjojmë në botë dhe jep mesazhe të bukura dhe drejt asaj duhet të shkojmë”, u shpreh muzikanti Deda.
Marrë nga rtsh.al