Edicioni i 61-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka nisur zyrtarisht punën, me përfundimin e përzgjedhjes së 26 këngëve pjesëmarrëse, 16 prej të cilëve janë artistë të cilët kanë performuar edhe më parë në Festival dhe 10 të tjerë janë artistë të rinj dhe grupe alternative.
Festivali i 61-të të Këngës në RTSH, do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tretë;1 çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe 1 çmim për karrierë. Por ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve.
Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria.
Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit, vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023” që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku.