Festivali I 52-të i këngës ka ulur siparin mbrëmjen e 28 Dhjetorit, duke shpallur fituese Hersi Matmuja me këngën “Zemërimi i një nate”. Një këngë e kompozuar dhe orkestruar nga Genti Lako, ndërsa vargjet janë shkruar nga poeti i madh Jorgo Papingji. Menjëhërë pas shpalljes së cmimit kanë nisur edhe diskutimet e shumta në lidhje me këtë këngë,se sa e denjë është kjo këngë për të na përfaqësuar në Eurosong. A e meritoi Hersi Matmuja këtë cmim? Apo siç ndodh rëndom në vendin tonë, edhe ky ishte një cmim mes “miqsh”.
Cmimi u vendos nga juria e përbërë nga shtatë anëtarë emra të njohur të muzikës dhe fjalës: Agim Krajka, Aleksander Lalo, Hajg Zaharian, Petrit Malaj, Xhevahir Spahiu, Eriona Rushiti dhe Bojken Lako. Thuhet se është një çmim mes ”miqsh”, sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që një anëtar i jurisë e vlerëson këngën me 12 pikë dhe një tjetër, po të njëjtën këngë e vlerëson me pikët minimale.
E gjithë kjo shtron pyetjen se: A mjafton vëtëm juria për përcaktimin e cmimit? Aq më tepër që kjo këngë do të na përfaqesojë në Eurosong. Përsa i përket prezantuesve Enkel Demit, Xhesika Berberi, Marinela Meta dhe Klea Huta, mund të vecojmë bukuroshen Klea Huta, e cila i dha një rrjedhë tjetër festivalit, ndryshe nga dy netët e para. Një pamje tjetër kjo skenë mori nga të ftuarit e natës së tretë që ishin fituesja e Eurosong 2013, këngëtarja daneze Emmelie Charlotte-Victoria de Forest dhe fituesja e The Voice of Italy, shqiptarja nga Shkodra, Elhaida Dani. Këtë vit drejtor i Festivalit ishte Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana. Drejtorët artistikë ishin Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, ndërsa producent muzikor ishte Alfred Kaçinari. Regjia e festivalit të këtij viti ju besua Petri Bozos, skenari Alda Bida, ndërsa skenografia mjeshtrit Adnan Kastrati. Përpos të gjithave duhet të theksojmë se ky është i vetmi festival, ku këngëtarët këndojnë live, çka e dallon nga festivalet e tjera. Aty konkurrentët kanë një përgjegjësi shumë më të madhe dhe duhet të tregojnë se janë vërtet të denjë për atë skenë. Herci Matmuja ka edhe përgjegjësinë për të na përfaqësuar sa më mirë dhe sa më denjësisht në skenën e Eurosong 2014. I urojmë shumë suksese.
IMA / I. Loshi