Mënyrat me të cilat flet historia janë të shumta. Historitë e 4 personave të ndryshëm, që i përkasin 4 gjeneratave të ndryshme, vijnë në dokumentarin “Fëmijët e diktaturës”.
Producentja Jonila Godole, shprehet: “Ky dokumentar ishte një mundësi e mirë për t’u dhënë këtyre njerëzve zë, që ata të flasin dhe të tregojnë. Kjo është shumë e rëndësishme, për shoqërinë dhe për brezin e ri, që nuk e di se çfarë ka ndodhur”.
Ndërsa regjisori Besnik Bisha thotë: “Në intervistat që u kam bërë, tmerret që tregonin ishin në kufijtë e të pabesueshmes”.
Dokumentari i çon këta fëmijë, sot të rritur, aty ku kanë jetuar. “Kemi xhiruar në vendet ku kanë jetuar në periudhën e internimit”, tregon regjisori.
Dokumentari e pati takimin e parë me publikun mbrëmjen e së hënës. Jo rastësisht, në përvjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.
“26 vite më vonë paraqesim jetën dhe përvojën e disa personave, për të cilët nuk është ngritur një monument”, deklaroi producentja Jonila Godole.
Pas përshtypjes së parë, sidomos përballë të rinjve, të cilët nuk e kanë njohur kurrë diktaturën, regjisori Bisha ndihet edhe më i frymëzuar: “Edhe unë, kur e shoh prapë, ndihem ndryshe. Më i menduar”.
/ Top Channel