Këshilli i Evropës ashtu si dhe Bashkimi Evropian apo ODHIR-i, e cilëson të papranueshëm amendamentin e deputetit Taulant Balla për shfuqizimin e nenit 62 në ligjin e medias. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland i ka përcjellë parlamentit mendimin e ekspertëve të këshillit për këtë çështje duke kritikuar amendamentin e socialistit Balla. Ekspertët vënë në dukje se shfuqizimi i nenit 62 dëmton transparencën në çështjen e pronësisë mbi median.
Duke fshirë nenin 62, pikat aktuale që ndihmojnë në transparencën e pronësisë mediatike do të hiqen. Pavarësisht progresit të bërë vitet e fundit në raport me transparencën formale të pronësisë mediatike, disa shqetësime mbeten, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me aksionet e fshehura dhe pronarët. Të heqësh dorë nga ky obligim është një hap pas për të siguruar transparencën e pronësisë së mediave në Shqipëri. Kjo nismë shkon në kundërshtim me përpjekjet e vazhdueshme të organizatave evropiane, përfshirë Këshillin e Europës, për të rritur transparencën e pronësisë, e cila konsiderohet një parakusht thelbësor për pluralizmin e medias dhe demokracinë.
Gjithashtu sipas eksperteve, ky propozim dëmton edhe konkurrencën e lirë.
Pluralizmi i medias, nuk duhet të konsiderohet si një parim që bie në konflikt me konkurrencën. Ai duhet të veprojë si mburojë në ato raste kur rregullat e konkurrencës do të jenë të pamjaftueshme për të parandaluar ndonjë pronar, një media, apo zë, që ka shumë ndikim mbi opinionin publik dhe në klasën politike.
Duke fshirë Nenit 62 të Ligjit nr. 97 / 2013, ligji shqiptar nuk lë mundësi për të rregulluar pronësinë mediatike në funksion të interesit publik. Kjo mund të jetë edhe më problematike në rastin e pronësisë së përqendruar të Televizioneve Kombëtare Tokësore.
Në konkluzionet e Këshillit të Europës, propozimi i socialistit Balla bie ndesh me standardet evropiane.
Me fshirjen e nenit 62, dhe pa shtuar asnjë mase tjetër mbrojtëse për të parandaluar përqendrimin e panevojshëm të pronësisë në tregun e transmetimit tokësor shqiptar, ligji i propozuar krijon një situatë e cila bie ndesh me standardet evropiane në lidhje me pluralizmin e medias.
Peizazhi mediatik shqiptar karakterizohet nga:
– Përqendrimi i lartë horizontal dhe vertikal në treg;
– Ndikimi i madh i televizionit tokësor në formimin e opinionit publik
– Ndërveprimi i fortë në mes të medias, politikës dhe interesave të biznesit.
Duke patur parasysh këto faktorë, fshirjen e nenit 62 rrezikon seriozisht pluralizmin e medias dhe mbylljen e tregut mediatik.
Pak muaj më parë socialisti Taulant Balla propozoi që me procedurë të përshpejtuar parlamenti të kalonte një amendament që parashikonte shfuqizimin e nenit 62 të ligjit për median audiovizive.
Por neni 62 është një prej neneve më të rëndësishme të këtij ligji pasi rregullon pronësinë ne media ashtu sikundër rregullon edhe shpërndarjen e reklamave. Për këtë arsye Komisioni i Medias e pezulloi shqyrtimin e amendamentit për të marrë mendimin e ndërkombëtareve; të cilët deri tani e kanë hedhur poshtë në një zë këtë propozim, raporton Vizion +.
Marrë nga Syri