Edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet, besoj se efekti “Net Vere” nuk ka kaluar ende. Ishte një spektakël ndryshe, i cili po sillte një frymë të re në televizionet shqiptare të asaj periudhe. Kujtoj me sa dëshirë i prisnim ato mbrëmje; na dukej sikur na përafronin me realitetin e vendeve fqinje, kryesisht me spektaklin italian. Dhe në të vërtetë, ashtu ishte. Spektakli “Net Vere” arriti të identifikonte mjaft emra, që sot janë në rolin e prezantuesit, këngëtarit apo njerëzve të ekranit. Një ndër pionierët e parë të këtij spektakli ishte dhe Fatos Risto, i cili së bashku me kolegun e tij, Albert Dumani, arritën jo vetëm të bëheshin të njohur, por edhe t’i rezistonin televizionit prej vitesh. Tashmë, dy drejtuesit e atyre mbrëmje të nxehta vere janë rritur e janë në pozicione të ndryshme pune. I formuar brenda ambientit televiziv (TVA / KLAN ), Fatos Risto gjendet prej afro 8 vjetësh në rol drejtues në një nga platformat më të mira në vend, TRING DIGITAL . Si një ndër ideatorët dhe ata që hodhën themelet e para të kësaj platforme, ai arriti të sillte një koncept të ri televiziv edhe brenda saj, ku larmia e programacionit është paksa më e kufizuar. Si Drejtor Përmbajtjeje i kësaj platforme, ideja që çdo ditë TRING t’i ofrojë shikuesit programet më të mira, filmat më të rinj dhe sigurisht të mos humbasë publikun, është një prej qëllimeve kryesore të tij.
Por përtej aspektit punë, Tosi (kështu e thërrasim zakonisht) është edhe një djalë që bie në sy për një stil ndryshe nga të tjerët, një stil alla Tosi, krejt unik dhe gjithmonë shumë më përpara se të tjerët. Edhe pse drejtor, ai nuk është nga ata që vjen në punë me kostum, por me tendencat e fundit ai njëkohësisht respekton pozicionin e tij, duke mbajtur një stil casual, ku ndihet shpirti i tij i lirë dhe dëshira për të veshur sa më shumë ngjyra. Kështu, për të bërë shërbimin fotografik, e kthyem Tosin sërish aty ku e nisi e u rrit, tek Akuadromi i Tiranës. Mes emocioneve të shkrepjes së aparatit dhe nostalgjisë, arritëm të sillnim për herë të parë në revistën LIVING, një mashkull fashion, i cili e di shumë mirë se çfarë i shkon dhe çfarë jo. Në stilin e tij casual, ai arrin të fusë në veshje edhe elemente sportivë, ose e kundërta. Këtu qëndron bukuria e lojës me veshjet”, thotë ai. “Mendoj se pikërisht e papritura është gjëja më e këndshme në stil. Nuk është se unë bëj plan se çfarë do të vesh nesër dhe kur blej diçka, nuk e mendoj se me çfarë do të shkojë më shumë. Kur bëhen bashkë në mënyrë të rastësishme, provoj një kënaqësi më vete dhe akoma më shumë kur kuptoj se mesazhi mirëpritet edhe nga të tjerët. Nëse dita bëhet monotone, veshja është një gjë që më ndihmon ta kaloj”. Për secilin besoj se ka një kod ngjyrash që i përshtaten gjendjes shpirtërore dhe mua më pëlqen t’i përdor atëherë kur nuk pritet. Një kontrast i vogël mund të sjellë diçka unike. Rrezikoj me këpucët ose çorapet, mjafton që të plotësojnë atë që po vesh. Tek unë nuk gjen pothuajse asnjëherë ngjyrën kafe në veshje lëkure ose të tjera. Nuk më pëlqen. Dhe për të shpëtuar, si alternativë kam gjetur ngjyrën gri, që shkon me çdo gjë. Mendoj se kontras ti të bën të spikatësh. Kur dua të mbahet mend se kam qenë diku, shtoj teksturë ose formë jo të zakonshme në një vend të papritur, si në kollare, jakë ose rrip. Në punë, si në çdo krijim, kërkoj të komunikoj dhe veshja për mua është më shumë komunikim sesa qëllim. E pra, ky është Tosi, Tosi i kontrasteve dhe komunikimit nëpërmjet ngjyrave të veshjes. Në prag të një projekti të ri televiziv, shumë më ndryshe nga ç’e kemi parë dikur, ai ndihet mjaft i motivuar. Sepse, ajo që ka ideuar do të na çojë larg, shumë larg, përtej kufijve të dijes e rreth shumë gjërave të paditura më parë.
Marrë nga living.al