Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Dewi van de Weerd, i ka dorëzuar Çmimin “Prince Claus” analistit Fatos Lubonja. Fondacioni “Prince Claus” nëpërmjet anëtarëve të vet ndërkombëtarë të Komitetit të Çmimeve “Prince Claus” vendos të nderojë me këtë çmim artistë dhe individë të spikatur për punën e tyre novatore në sferën e kulturës dhe zhvillimit.
Fatos Lubonja është një nga dymbëdhjetë Laureatët e vitit 2015. Kjo është hera e parë që një Çmim “Prince Claus” i është akorduar një qytetari Shqiptar.
Fatos Lubonjës i është akorduar ky çmim për vlerësimet e tij shumë të kthjellëta letrare mbi episode thelbësore të historisë shqiptare të kohëve të fundit; për ruajtjen e integritetit të tij intelektual dhe pavarësisë në rrethana ekstreme; për luftën e vazhdueshme për demokraci, të drejtat e njeriut, lirisë së fjalës dhe të drejtës për të treguar historinë e vendit të vet në një kontekst ku liria mbetet e brishtë; për zgjerimin e qëllimit të debatit publik dhe dhënien e mundësisë zërave kritikë; si dhe për t’ja thënë të vërtetën pushtetit pa patur frikë.
Rreth Çmimeve Prince Claus
Çmimet Prince Claus nderojnë arritjet e shquara në fushën e kulturës dhe zhvillimit. Çmimet ju akordohen çdo vit individëve, grupeve dhe organizatave veprimtaria kulturore e të cilëve ka një ndikim pozitiv mbi zhvillimet e shoqërive të tyre.
Duke ruajtur parimin themelor të Fondacionit Prince Claus se “kultura është një nevojë themelore”, çmimet vënë në dukje kontributet e rëndësishme në rajonet ku burimet apo mundësitë për shprehitë kulturore, produksionin krijues dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë shumë të kufizuara.
Gjatë 19 viteve Fondacioni Prince Claus ka mbështetur në mbarë botën lirinë e shprehjes kulturore.
Marrë nga Balkanweb