Botuesi Fatmir Toçi është një ndër pacientët e Covid-19 prej disa javësh. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai përshkruan situatën në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku po marrin ndihmën e mjekëve mbi 200 pacientë me koronavirus.
“Po e përsëris për së dyti thirrjen time “më besoni” nga Spitali “Shefqet Ndroqi”, ku janë të shtruar mbi 200 pacientë të prekur nga virusi vdekjeprurës dhe që ngjason si spital lufte pas një beteje të përgjakshme, ku punon me përkushtim e vetëmohim një personel që ka vënë në rrezik jetën e vet dhe të familjeve për të shpëtuar jetë njerëzish, ku nga një sallë e vogël reanimacioni, e planifikuar për 8 vetë dhe e përshtatur për 12, diktuar nga kushtet e emergjencës sot, dalin pa jetë 1-2 pacientë në 24 orë, duke sjellë dhimbje e trishtim për familjet e tyre”, rrëfen ai.
Ai u bën apel të gjithëve të jenë të kujdesshëm në mjediset publike, por edhe në familje. Toçi rekomandon mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
“Jetë të prera në mes papritur e pabesisht, dhe pakujdesia e papërgjegjshmëria jonë personale dhe kolektive janë faktori kryesor i këtyre humbjeve në jetë njerëzish. Nuk do t’ia uroja askujt të provojë këtë që po kaloj unë në këtë spital, ku kurrizi dhe dysheku janë bërë një që prej një muaji, për ta besuar se sa e rëndë dhe serioze është situata në këtë luftë, abdurde në dukje, me një armik të panjohur sa duhet e që ngjall vdekje kudo që prek; por desha t’ju bëj një thirrje si mik, si vëlla, si një qytetar i këtij vendi, si një njeri që prej më shumë se 4 javësh lufton me vdekjen në emër të jetës: mbajeni atë dreq maske dhe bëni kujdes, mbroni jetën tuaj, të familjes tuaj dhe të të tjerëve! Jeta është e shtrenjtë, duhet mbrojtur e jetuar!”, thotë ai.