Për herë të parë filmi ishte shfaqur për publikun në kuadër të një gala mbrëmjeje në Londër, ku i pranishëm ishte edhe regjisori Gabriel Range.
Ndërsa së fundmi u publikua edhe trileri zyrtarë i tij, por i cili u prit me kritika të ashpra nga adhuruesit e filmit. Përmes rrjeteve sociale ata i kanë ndarë pakënaqësitë e tyre rreth faktit se në këtë film biografik nuk përfshihet muzika e ikonës David Bowie, si dhe nuk iu ka pëlqyer mënyra se si aktorit protagonist e ka portretizuar idhullin e tyre.
“Stadust” e sjell historinë e Bowiet, i personifikuar në film nga Johnny Flynn, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë, në vitin 1971, vizitë kjo e cila thuhet se e ka inspiruar në krijimin e personalitetit të njohur si Ziggy Stardust. Në fragmentet e para të filmit Bowie shihet duke i ndarë brengat rreth albumit të tij me publicistin Ron Oberman, i cili në film portretizohet nga aktori Marc Maron.
Në filmin “Stardust” luan edhe aktorja e njohur e filmave “The Hunger Games”, Jena Malone, e cila e portretizon gruan e parë të muzikantit, Angie. Regjinë e këtij projekti biografik e ka bërë regjisori i shpërblyer me çmim “Emmy”, Gabriel Range, ndërsa skenari është punuar nga Christopher Bell.
Familja e Bowie e kishte distancuar veten tërësisht nga ky film. Djali i tij regjisor, Duncan Jones, e kishte konfirmuar se nuk e kanë autorizuar realizimin e filmit “Stardust”, dhe muzika e babait të tij nuk do të përfshihej në këtë projekt.
Filmi ishte planifikuar të lansohej në kuadër të festivalit të filmit “Tribeca”, por kjo ngjarje është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavisurit.