Që prej festave të fundvitit, në televizionin publik shqiptar po shfaqet me sukses një film i gjatë me gjashtë seri që titullohet “Familja”. Kjo komedi që prek një sërë problemesh sociale që mbart shoqëria jonë në ditët e sotme, ka në qëndër të saj një familje tipike shqiptare në të cilën ndodhin situata të përditshme për të gjithë, por që tek ata kthehen në komike, apo edhe në dramatike.
Pjesëtarët e saj janë karaktere shumë të ndryshëm nga njëri tjetri, dhe secili i sheh të tjerët si “humbës‟. Megjithatë vetë ata dhe interesat e tyre aq të kundërta priten në të njëjtën pikë, në bërthamën e përbashkët, duke krijuar edhe situatat komike. Me ta jo vetëm qesh dhe argëtohesh, por pas mbarimit të çdo episodi të bën të mendohesh dhe të gjykosh ku po shkon familja sot, sepse është një serial familjar që mund të shihet e shijohet nga e tërë familja.
Skenari është shkruar me mjeshtëri nga Koloreto Cukali. Shumë më përpara ai ka bërë emër të mirë në shtypin shqiptar me shkrime plot kolorit dhe origjinalitet, ku zhbiron probleme të mprehta të ditës. Cukali është një gazetar i angazhuar për hallet e familjes dhe të shoqërisë së sotme shqiptare. Tani me humorin, ironinë dhe dialogun e gjallë, vjen si shkrimtar i pjekur i ekranit, pas shumë përvojave në fushë të filmit dhe të Tv.
https://www.youtube.com/watch?v=xCS0SKF0vXc
Pikërisht mbi këtë material premtues dhe ambicioz, punuan me përkushtim për ta kthyer në film, Ylli Pepo dhe Edmond Mandro, regjisorë të dy brezave krejt të ndryshëm. Pepo vjen me një përvojë shumë të gjatë, gati 50 vjeçare. Tamam, 15 vjet më parë, Ylli Pepo xhiroi telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate” 20 seri, me skenar te Ruzhdi Pulahës.
Ndërsa Mandro i takon nje brezi krejt tjeter. Por edhe atij sot nuk i mungon një stazh i bukur me filmin e veçanërisht me humorin në Tv (është regjisor i ByPass Show dhe ka bërë për tre sezone regjinë televizive të AlPazar në Vizion Plus). Ndërsa filmi i tij i parë “Tirana ’14”, një kino komedi e mirfilltë i xhiruar 2 vjet më parë u prit me interes të madh, gjë që i hapi portat drejt filmave dhe serialeve të ardhshëm.
Diana Proko, Gjergji Trola, Markela Dede, Natasha Seli, Aishe Stari, Xhevair Zeneli janë disa nga emrat e aktorëve të cilët luajnë me mjeshtëri në këtë film që është prodhuar nga Grishaj Film Production dhe financuar në masën 80% nga RTSH.
Pjesë e rëndësishme e produksionit është edhe fotografia e Denald Grepckës, kamera e Anton Grishaj, montazhi i Gjergji Panos dhe muzika e Etmond Mancakut.
Seriali transmetohet çdo të diel në prime time në rrjetin e RTSH.
https://www.youtube.com/watch?v=jfi7ze3Uz78