Gjiganti i rrjeteve sociale Facebook po planifikon të ndryshojë emrin dhe në vend të Facebook do të ketë një emër të ri javën e ardhshme.
Kështu raporton Verge duke cituar një burim me informacione të drejtpërdrejta për çështjen.
Shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg planifikon të flasë për ndryshimin e emrit në konferencën vjetore të kompanisë Connect në 28 tetor, por mund të zbulohet më shpejt, thuhet në raportin Verge.
Ndërkohë sipas The Guardian raporti nuk është konfirmuar nga zyrtarë të Facebook por një zëdhënës ka deklaruar se kompania “nuk komenton thashethemet apo spekulimet”.
Në fillim të këtij muaji Facebook, WhatsApp dhe Instagram u shkëputën për pesë orë pasi mirëmbajtja rutinore shkoi keq, duke prishur të gjitha shërbimet e Facebook duke përfshirë komunikimet e tij të brendshme dhe shërbimet e sigurisë fizike.