Në mes të shtatorit, dokumentari “The Social Dilemma” u konsiderua nëpër rrjete sociale si “më i frikshëm se çdo film horror”, duke qenë se trajtonte efektet negative të praktikave të biznesit në industrinë e medias sociale. Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook, publikoi një kundërshtim prej shtatë pikash në lidhje me dokumentarin e transmetuar në Netflix.
“Ne duhet të kemi diskutime në lidhje me ndikimin e medias sociale në jetën tonë. Por ‘The Social Dilemma’, jep një pamje të deformuar të mënyrës se si funksionojnë mediat sociale,” tha (via Variety) Facebook.
Dokumentari 93-minutësh përmban intervista me ish-ekzekutivë të Facebook, Twitter, Google dhe kompani të tjera dhe trajton çëshje të ndryshme, duke përfshirë varësinë nga teknologjia, përhapjen e infomacioneve të rreme, teoritë konspirative, manipulimin e algoritmeve etj.
Facebook reagoi duke thënë se krijuesit e filmit nuk përfshinë njohuri nga ekspertë që aktualisht punojnë në kompanitë përkatëse, por mbështeten vetëm te komentet e atyre që kanë qenë dikur në brendësi të industrisë.
Në lidhje me algoritmin, Facebook tha se vetë Netflix, ku u transmetua dokumentari, përdor një algoritëm që përcakton se kush duhet ta shohë një film të caktuar. Sipas Facebook, kjo ndodh me çdo përmbajtje online.
Ndër të tjera, kompania theksoi se:
- ka gabuar në të kaluarën, duke iu referuar manipulimit të të dhënave gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2016, por që prej asaj kohe ka bërë përpjekje të forta për të mbrojtur njerëzit.
- pretendimi që Facebook ndikon në përhapjen e informacioneve të rreme është e gabuar, pasi platforma ka më shumë se 70 partnerë për të kontrolluar faktet.
- ka bërë ndryshime të rëndësishme për mënyrën si menaxhohen të dhënat e përdoruesve duke respektuar marrëveshjet që mbrojnë privatësinë.