Në “Big Brother 8” u cilësua bomberi me muskuj, që i bënte femrat t’i luteshin. Thotë se ky është stili i tij me femrat. Dhe deri sa të gjejë dashurinë e vërtetë që do e bëjë të zbulojë anën romantike të tij, do të vazhdojë të shijojë jetën. 31-vjeçari tregon se si finalist i “BB 8” ende nuk i ka marrë në dorë 10 mijë eurot e premtuara nga produksioni. Përveç kësaj, ai flet për pushimet e para si djalë i famshëm, marrëdhënien me ish-rivalët e tij dhe pasionin për palestrën.
Si po shkon jeta jote tani pas “Big Brother”-it, ka ndryshuar stili yt i jetës pas famës?
Jeta ime pas “Big”-ut nuk ka ndryshuar. Është po e njëjta jetë që bëja më parë.
Në këtë lojë hyre për të ndryshuar jetën. Çfarë oferte do të pranoje me kënaqësi nga produksioni?
Në “BB” hyra për të provuar aftësitë e mia, e për të dalë fitues. Por kur kuptova lojën e pistë që bëhej, vendosa ta lija lojën time që nga java e dhjetë. Nga produksioni do të dëshiroja vetëm që të respektonin rregullat e kontratës e të ishin të pakorruptuar, sepse një garë si ”BB” nuk duhet të tolerojë favorizime personash të caktuar. Është një biznes i madh e duhet të jetë çdo gjë me drejtë- si, në mënyrë që të fitojë më i miri. Por, mesa duket, miqtë dhe korrupsioni nuk dalin lehtë nga moda këtu në Shqipëri.
Gjithsesi, si finalistë u shpërblyet me 10 mijë euro secili. E tërhoqët shumën dhe për çfarë do t’i shpenzosh?
Paratë e “Big”-ut jo vetëm që s’i morëm, por askush s’ka denjuar të na telefonojë e të na japë shpjegime. Gjithsesi, ato para nuk kam për t’ua lënë vetëm për ego, e do t’ua marr me çdo kusht. Për t’i shpenzuar nuk është e vështirë, se për një javë i shpenzoj, pasi dihet që këtu në Shqipëri paraja derdhet lumë.
Janë rivalët e “BB” miqtë e tu më afërt këtë verë. Me cilët prej tyre shoqërohesh?
Unë s’kam asgjë me lojtarët e “Big”-ut. Takoj ata që më duan e që më respektojnë: Stilianin, Noan, Edisonin, Kristin, Diedonin, Albën, Gencin, Jonën, Marinën dhe Fisnikun.
Në këtë lojë u krijuan dhe tri çifte, që duket se i kanë marrë seriozisht marrëdhëniet e tyre. Deri sa do të vazhdojnë kështu, sipas teje?
Çiftet s’i kam takuar, po nuk më çudit fakti që rrinë bashkë sepse janë njerëz që vdesin për pak vëmendje. Për pasojë, them se do të jenë çifte deri sa të shuhet kjo vëmendje.
Ti vetë ke deklaruar se je ende “single”. Këto kohë pas famës je lidhur me ndonjë vajzë?
Për momentin jam ende “single”. Nuk ka ardhur ende dashuria, por jam gjithmonë në kërkim të saj. E deri në momentin që të vijë, unë mundohem të shijoj jetën.
Iu riktheve formës fizike që kishe para se të hyje në lojë?
Kam filluar palestrën menjëherë sapo dola nga “Big”-u. Fizikisht ndihem mirë tani, po ende nuk jam siç dua unë, pasi jam gjithmonë në lëvizje. Ushqehem në restorante e nuk fle siç duhet, që është në disfavorin tim, pasi siç e dini, ky lloj sporti kërkon shumë sakrifica e duhet zbatuar rreptësisht për të qenë në superformë.
Çfarë plani ke pas verës, do të ndërtosh një jetë të re në Shqipëri?
Jo, nga shtatori do t’i rikthehem jetës në Itali. Nuk e kam në plan të jetoj në Shqipëri.
Marre nga Panorama