Kur u prezantua News Feed ata që mirëpritën risinë e Facebook nuk ishin të paktë. Përdoruesit e platformës sociale më të madhe në botë e përshëndetën nismën e Mark Zuckerberg, madje disa shkuan deri aty sa të mendonin se me këtë do të konkuronte motorin e kërkimit Google.
Por gradualisht gjërat duket se po ecin mbrapsht. Pas kufizimeve të ndjeshme të atyre që shfaqen në këtë sektor për çdo përdorues, Facebook është duke testuar “Explore”.
“Explore” po testohet në Sri Lanka, Bolivi, Sllovaki, Serbi, Guatemalë dhe Kamboxhia dhe reagimet e para kanë qenë negative.
Shumë përdorues në këto vende ankohen se prej ditësh në “News Feed” u shfaqen shumë pak ose aspak njoftime nga aktiviteti i miqve apo i faqeve që kanë pëlqyer (like) në Facebook dhe më tepër informacione nga aktivitete të faqeve që janë të sponsorizuara, pra që paguajnë tek rrjeti social për t’u promovuar.
Ekspertët thonë se Explore është në fazë testimi ende dhe ajo që bën është që të detyrojë përdoruesit, sidomos mediat që e përdorin për të shpërndarë informacione, që të paguajnë për “privilegjin” e shfaqjes së aktivitetit të tyre edhe tek miqtë e ngushtë, madje edhe tek familjarët.
I gjithë paniku i krijuar ka detyruar Facebook që të reagojë. Shefi i sektorit “News Feed” Adam Mosseri thotë se synimi ishte që kompania të kuptonte më mirë nëse përdoruesit e rrjetit social preferonin një sektor unik, apo të shikonin aktivitetet personale veç dhe ato publike veç.
Top Channel