Një nga serialet premierë botërore, prodhim i Telemundo “Fati i Evës, i cili ka filluar para disa javësh në Amerikën Latine, tashmë së shpejti edhe në ekranin e Vizion Plus.
Ky serial flet për Evën e cila përkujdeset më shumë për të motrën që është autike, të cilën ajo e do shumë edhe pse ndihet xheloze për të. I dashuri i saj është Bobi Monteverde, por tani nuk i pëlqen më aq shumë sa më përpara. Bota e saj do të bëhet lëmsh kur burgosin të ëmën dhe Andres Palasiosi e fut në rrugën e drogës.
Armando Montes – Jorge Luis Pila
Armando Montes është i martuar me Evën dhe është një dyzetvjeçar i pashëm, në kulmin e aftësive të tij joshëse. I pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes së femrave. Edhe pse gjithmonë ka qenë donzhuan, në fillimet e martesës e ka dashur shumë të shoqen. Nuk ka pasur kurrë ambicie për të bërë përpara si e shoqja, por u mësua lehtë me jetën pa shumë mund. Kur Eva iu përkushtua krejtësisht të bijës me autizëm, Armando shfrytëzoi rastin për të krijuar një stil jetese si një beqar milioner dhe i lakmuar. Zë dashnore mbesën e gruas së tij, por edhe shoqen e ngushtë të Evës, por e kupton tepër vonë që s’ka humbur vetëm dashurinë, por edhe pushtetin.
Beti Kardenas – Sofía Lama
Beti është një vajzë e re joshëse dhe e pavarur. Është avokate e shkëlqyer që ka mundur të bëhet prokurore në gjykatën penale të qytetit, edhe pse në moshë të re. Është e dashuruar marrëzisht me Pablon dhe nuk e pranon dashurinë e tij për Evën. Hakërrehet kundër saj dhe e çon në bankën e të akuzuarve për ta larguar nga dashuria e jetës së vet.
Sintia Monteverde – Katie Barberi
Sintia është një grua paragjykuese. Ajo i urren fqinjët e saj, Sorajën dhe Pançon. Nuk mundi kurrë të mbetej shtatzënë. Ajo dhe i shoqi “blenë” një fëmijë, të cilit ia vunë emrin Bobi dhe nuk i treguan kurrë për prejardhjen e vet. Sintia e dinte se kujt po i merrej fëmija i porsalindur. Ishte vetë Soraja. Ato të dyja do të bëhen armike për vdekje, kur të zbulohet e vërteta.
Diego Kontreras – Jorge Eduardo García
Diego është djali i Pablo Kontrerasit dhe është autik. Është shok shkolle dhe bën prapësi me Fabiolën. Ata janë miq të pandarë. Gjendja e tij është më e lehtë se e mikes së vet, ndaj ai komunikon më qartë dhe e udhëzon atë. Është shumë i dhënë pas shkencës dhe dinosaurëve. Bashkë me të atin dhe të gjyshin kanë ndërtuar një bashkësi familjare shumë të bukur dhe solide.
Eva Soler – Edith González
Është një grua e fortë që ka punuar fort si kamioniste bashkë me të atin, që në moshë fare të re për të mbajtur familjen. Ka qenë ambicioze dhe bashkë me të shoqin arritën të ngrenë një kompani transporti të tyren, prej së cilës pasuron edhe pasuria që kanë. Ndihet tërheqëse dhe plot jetë. Nuk do t’ia dijë se çmendon shoqëria dhe i do dy vajzat e saj në mënyrë të pakushtëzuar. Tradhtia e të shoqit i dhemb në shpirt por ajo nuk shembet dhe ecën përpara. Jeta e saj ndryshon rrjedhë kur akuzohet për vrasje dhe paguan për një krim që s’e ka kryer. Por, kur të dalë nga burgu ajo do të takojë dashurinë e jetës dhe do të përkushtohet me mish e shpirt që të vërë në vend drejtësinë.
Evensio Melgar – Alfredo Huereca
Evensio është një shofer kamionësh i alkoolizuar. Është i martuar me motrën e Evë, Karmen Solerin dhe ka rritur vajzën e saj, Sofian. Praktikisht ka jetuar gjithë jetën në mëshirë të kunetërve të tij të pasur, gjë që i ka dëmtuar atij vetëvlerësimin. E shoqja është një idhnake që gjithmonë e ka manipuluar dhe i ka diktuar si të jetojë e si të sillet. Ai ka rëndësi të madhe se është dëshmitari i vetëm në vrasjen, për të cilën Eva futet në burg.
Fabiola Montes Soler – Nicole Apollonio
Fabiola është vajza e vogël e Evës dhe Armandos. Ka lindur me një formë autizëm, ndaj e ëma i përkushtohet pareshtur ecurisë së saj. Është vajzë e zgjuar dhe ndihet disi e braktisur nga i ati, duke qenë se ky i fundit e ka pasur të vështirë ta pranojë gjendjen e së bijës. Kur Eva hyn në burg, Fabiola ndryshon në mënyrë drastike dhe fillon të sillet në mënyrë rebele.
Marlenë Palasios – Erika de la Rosa
Marlenë Palasios është një grua e bukur, e arsimuar, fine dhe me prejardhje fisnike. Për arsye të caktuara humbi pasurinë e saj, por shoqja e ngushtë, Eva, e shpëtoi nga vdekja e skamja. Megjithatë, Marlena ndjen zili dhe urrejtje ndaj saj, ndaj edhe i josh të shoqin, derisa arrin t’ia marrë. Fiksimi i saj është që të rikthejë prestigjin e familjes së vet dhe të jetojë përsëri në vilën e saj luksoze, me çdo kusht.
Pablo Kontreras – Arap Bethke
Pablo është njeri energjik dhe shumë i drejtë. Është i përgjegjshëm, serioz dhe shumë i disiplinuar. Ka qenë polic, por u zhgënjyer pas lirimit të vrasësit të gruas së tij të parë dhe hoqi dorë nga profesioni. Aktualisht merret me hetime ligjore për kompani private, teksa studion për drejtësi. I përkushtohet rritjes së të birit, Diegos, me të cilin ka një raport shumë të bukur. Nuk kishte më ëndrra në jetë derisa një ditë takon Evën, e cila e merr në punë, dhe rreket ta bëjë atë për vete. Ka dyshime se Armando po kryen zhvatje në ndërmarrjen familjare dhe vihet përballë një dileme. Nga një njeri i arsyeshëm dhe objektiv, ai shndërrohet në një romantik të pashoq, që beson te dashuritë e caktuara nga fati.
Roberto Monteverde – Henry Zakka
Roberto është një i pacipë me një mbiemër të rëndësishëm, që kërkon t’i bëjë qejfin së shoqes për çdo gjë. Në të shkuarën nuk hezitoi të siguronte një fëmijë në mënyrë ilegale. Në të tashmen ai është i rrënuar dhe kërkon t’i ngrejë kurthe Panço Mologonit, i cili ka shumë para. Shumë shpejt e kupton që fqinjët e tij janë shumë më tepër nga sa duken dhe mund të përfundojë në burg prej tyre.