Festivali Evropian i Këngës Eurovision Song Contest (ESC), është një konkurim ndërkombëtar muzikor europian, i cili zhvillohet çdo vit, që prej vitit 1956.
Ky konkurs ndërkombëtar, i cili përbëhet nga gjysmëfinalja dhe finalja, sipas rregullores mbahet në vendin e fituesit të vitit të mëparshëm, sikundër këtë vit ESC2018 zhvillohet në Lisbon, nga ku fituesi i ESC2017, Salvador Sobral me këngën “Amar Pelos Dois” solli triumfin në Portugali. Spektakli ndahet në dy pjesë, në atë të prezantimit të finalistëve që zgjat rreth dy orë dhe në atë të dhënies së pikëve.
Çdo Radio Televizion Shtetëror anëtar i “EBU”-së prezanton veten me një këngë dhe vlerëson duke votuar për këngët e vendeve të tjera. Gjithashtu ky program i transmetuar është nje ndër programet me shikueshmërinë më të lartë ku sipas sondazheve të viteve të fundit shifrat sillen ndërmjet 100 dhe 600 milionë shikues.
Për herë të parë skenën Europiane të Këngës, Shqipëria e preku në vitin 2004. Fituesja e Festivalit të Këngës në RTSH, ishte Anjeza Shahini me këngën “Imazhi yt”. Ndërkohë Shqipëria njeh 14-të prezantime në këtë kompeticion muzikor të cilët janë:
- 2004- Anjeza Shahini ”The Image Of You”
- 2005- Ledina Çelo “Nesër shkoj”
- 2006- Luiz Ejlli “Zjarr e Ftohtë”
- 2007- Frederik Ndoci “Hear My Plea”
- 2008- Olta Boka “Zemrën e Lamë Peng”
- 2009- Kejsi Tola “Carry Me in Your Dreams”
- 2010- Juliana Pasha “It’s all about you”
- 2011- Aurela Gaçe “Feel the Passion”
- 2012- Rona Nishliu “Suus”
- 2013- Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko “Identitet”
- 2014- Hersiana Matmuja “Zemërimi i një nate”
- 2015- Elhaida Dani “I’m Alive”
- 2016- Eneda Tarifa “Fairytale”
- 2017- Linda Halimi “World”
Sonte do të shijojmë konkurimin e 15-të të Shqipërisë në Eurovision Song Contest, me përfaqësimin e këngëtarit Eugent Bushpepa me këngën “Mall”. Shqipëria do të konkurojë e 3-ta në renditje, në këtë gjysmëfinale të parë të ESC2018. Ju mund t’a ndiqni drejtpërdrejt në RTSH1 HD dhe në Aplikacionin RTSH tani!