Festivali Europian i Këngës, Eurovision Song Contest 2014 nis në datën 6 maj. Të tri netët e festivalit, 6, 8 dhe 10 maj, do të transmetohen në ekranin e Televizionit Shqiptar, në RTSH muzikë si dhe në transmetim radiofonik në valët e Radio Tirana.
Në këtë edicion të 59-të do të konkurojnë 37 shtete midis tyre edhe Shqipëria. Kjo është pjesëmarrja jonë e 11 në skenën e Festivalit Europian dhe këtë vit prezantohemi me këngëtaren Hersi Matmuja me këngën “One night’s anger“, versioni anglisht i këngës fituese “Zemërimi i një natë“ në FiK 52, kompozuar nga Genti Lako dhe me tekst të Jorgo Papingjit.
Transmetimi i tri netëve do të përcillet live në rrjetin e RTSH, për të dytin vit radhazi nën komentin e Andri Xhahu, i cili natën finale do të jetë në lidhje direkte me skenën e festivalit për të anonçuar pikët e dhëna nga publiku shqiptar nëpërmjet televotimit.
Më poshtë nje video mesazh përshendetës për lexuesit e Info Media Albania nga Andri Xhahu.