Për shkak të pandemisë, festivali i “Eurovizionit” do të pësojë ndryshime të mëdha, në mënyrën e organizimit. Që nga viti i kaluar janë diskutuar disa skenarë potencialë, në mënyrë që të respektohen rregullat strikte të sigurisë.
“Eurovizioni” do të zhvillohet në maj, por këtë vit do të jetë ndryshe nga vitet e tjera.
“Eurovision Song Contest do të rikthehet në maj, pavarësisht pandemisë, por me rrethanat mbizotëruese është për fat të keq e pamundur që të organizojmë festivalin ashtu siç jemi mësuar”, është shprehur mbikqyrësi ekzekutiv Martin Österdahl.
Sipas skenarit më të mundshëm, artistët pjesmarrës do të performojnë në skenë, por publiku do të jetë më i ulët në numër dhe do të mbajnë distancë fizike nga njëri-tjetri. Stafi i festivalit pritet të jetë i plotë, ndërsa mediat që do të përcjellin ngjarjen do të jenë më të pakta në numër.
Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim final, për mënyrën e organizimit. Në skenarin më të keq, Eurovizioni mund të anullohet, ashtu si dhe vitin e kaluar.
Në festivalin e këtij viti, Shqipëria do të përfaqësohet nga këngëtarja Anxhela Peristeri.