Rumania mund të përjashtohet nga konkursi i këngëve Eurovizion 2016 për shkak se televizioni publik i detyrohet 10 milionë euro Unionit Europian të Transmetimit.
Kryeministri rumun Dacian Ciolos tha të hënën se po kërkonte mënyra që të parandalohej përjashtimi i vendit nga Eurovizion 2016 pasi televizioni publik, TVR, lajmëroi se i kishte borxh Unionit Europian të Transmetimit, EBU, që drejton garën e përvitshme,mbi 10 milionë euro.
“Do të marrim një vendim dhe do të gjejmë një zgjidhje,” tha Ciolos.
TVR paralajmëroi të shtunën se Rumania mund të mos marrë pjesë në edicionin e këtij viti.
“Përfaqësuesit e EBU – Lidhjes më të madhe në botë të transmetuesve publikë – kanë paralajmëruar me gojë përfaqësuesit e TVR se për shkak të borxheve të mbledhura në tetë vitet e shkuara, do të kalojnë në një fazë të re sanksionesh,” tha TVR në një deklaratë.
“Kështu Rumania rrezikon të mos pranohet në skenën e Eurovizionit dhe të mos marrë sinjal satelitor për të transmetuar garën”, tha TVR.
Sipas TVR, pavarësisht se u pagua në kohë tarifa për pjesëmarrjen në vitin 2016 dhe tashmë po paguhet një pjesë e borxheve – ku një këst prej 250,000 eurosh është paguar në janar – kjo nuk mundi të bindë EBU se do të bëhet pagesa e plotë.
EBU i ka kërkuar shtetit të garantojë pagimin e borxht, tha TVR.
Transmetuesi publik në borxh ëhtë paralajmëruar gjithashtu se në qoftë se nuk merr mbështetjen e shtetit, nuk mund të kontrollojë ngjarje të tjera të mëdha, si futbolli europian këtë vit dhe Lojërat Olimpike të Rios 2016.
“EBU aktualisht po pret për pikëpamjen e institucioneve që duhet ta kishin zgjidhur si parlamenti, qeveria dhe ministria e financave,” tha deklarata e TVR.
Producentja e Rumanisë në Eurovizion, Iuliana Marciuc i nxiti autoritetet të ndërhyjnë.
“Institucionet shtetërore duhet të reagojnë tani të paktën, në këtë çast,” tha Marciuc.
“Jam shumë e shqetësuar [rreth përjashtimit të Rumanisë nga Eurovizioni 2016]; do të ishte një situatë e paprecedentë. Puna e një skuadre të tërë do të shkonte dëm dhe nuk do të respektohej tradita,” shtoi ajo.
Kanali televiziv shtetëror po përballet me probleme të mëdha financiare.
Sipas një raporti të dorëzuar në parlament javën e shkuar, llogaritet se humbi 5.3 milionë euro në vitin e shkuar.
Rreth 70 për qind e të ardhurave të TVR vijnë nga shitja e reklamave, tarifat e transmetimit dhe licencat televizive.
Pjesa tjetër e parave vjen nga buxheti i shtetit, që e bën atë të varur nga bujaria e partive në qeverisje. /BIRN/