Menjëherë pas përfundimit të Këngës Magjike dhe shpalljes së fituesit, e cila ishte Besa Kokëdhima me këngën “Tatuazh në zemër” akuzat se kjo është një këngë e kopjuar duket se nuk po marrin fund.
Këto akuza nisën si fillim nga portalet on-line, të cilat gjatë gjithë këtyre ditëve shkruajnë se kjo këngë është e kopjuar nga kënga e Pet Shop Boys me titull “Being Boring”. Dhe vërtet është një ngjashmëri e madhe e vijave melodike. Këtë ngjashmëri e ka vënë në dukje edhe publiku, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale komenton dhe shprehet se kjo është një këngë e kopjuar dhe si e tillë nuk duhej të ishte shpallur fituese.
Por nuk mund të shkojmë thjesht pas disa fjalëve apo komenteve të ndryshme sepse është një akuzë dhe si e tillë kërkon prova. Një ndër provat është postimi në facebook i këngëtarit Stefi Prifti, i cili shprehet: ”U habita pa masë nga ngjashmëria e kësaj kënge të Pet Shop Boys me këngën fituese të festivalit Kenga Magjike 2013 kompozuar nga Darko Dimitrov dhe kënduar nga Besa!!! A mund të heshtim”?!
Ky ishte mendimi i Stefit dhe duhet marrë parasysh në gjykim sepse i përket fushës së muzikës dhe është më i aftë të bëjë dallimin. Por gjithashtu Stefi dhe shumë të tjerë këto akuza nuk i hedhin mbi Besën pasi e vlerësojnë dhe e duan si kolegët ashtu edhe publiku,por mbi kompozitorin Darko Dimitrov.Ndërkohë Darko shprehet se është thjesht një kombinim i notave,asgjë më shumë.Por,për shumë artistë ky nuk është një justifikim i argumentuar nga ana e Darkos dhe kjo heshtje tregon se kritika muzikore mungon,ose pothuajse nuk ekziston.Ndërkohë Besa ende nuk ka thënë asgje në lidhje me këto akuza.Ajo thjesht falenderon fansat dhe miqtë e saj dhe shprehet se këtë këngë ja dedikon mamasë së saj.
Përgatiti për IMA / I. Loshi