Jemi mësuar gjithmonë ta shohim Ardit Gjebrenë të rrethuar nga dy partnere femra, që shpesh kanë qenë të huaja VIP dhe shumë seksi, duke e shoqëruar në tri netët finale të festivalit “Kënga Magjike”. Në këtë edicion të 15-të të netëve finale të “KM”, që pritet të organizohen në datat 27, 28, 29 në “Pallatin e Kongreseve”, Gjebrea do të ketë për herë të parë dy meshkuj, dhe të dy, aktorë humori, me qëllimin që në festival të ketë shumë situata komike. I pari është Ermal Mamaqi, i cili këtë vit nuk merr pjesë si konkurrent për të shfaqur talentin e tij si prezantues. Dhe i dyti është po ashtu një aktor humori, pikërisht Ervin Bejleri, i cili pas shkëputjes nga spektakli i “Portokalli” u shfaq si moderator i një show me kamera të fshehta, “Game Over” në “Vizion Plus”. Tashmë që prezantimi i këngëve pjesëmarrëse ka mbërritur drejt fundit, le të shohim se sa e fortë do të jetë gara në netët finale. 45 këngëtarët që do të kalojnë në gjysmëfinale, do të votojnë edhe këtë vit për njëri-tjetrin. Nga ky votim do të dalin 20 këngët finaliste në natën e fundit. “Edhe pse janë të paevitueshme miqësitë mes këngëtarëve ose edhe inatet e shprehura në votime, ky sistem ka rezultuar në një përqindje të madhe efikas në përcaktimin e renditjes të këngëve sipas vlerave të tyre, me pluset dhe minuset e veta”, kanë shpjeguar organizatorët në faqen zyrtare të “Kënga Magjike“ në facebook.
Burimi Gazeta Panorama