Rubrika “B.E Caffe”, do të startojë së shpejti në ekranin e Tv Klan, në programin e “Të dielës Shqiptare” të Ardit Gjebreas. Për rreth 1 orë, Erion Isai, Bes Kallaku dhe Olsi Bylyku do të realizojnë skeçe humoristike të cilat do të mbajnë “të mbërthyer” përpara ekranit shikuesit shqiptarë.
Por nuk ishte surprizë prezenca e Erion Isait në Tv Klan. Gjatë moderimit në “Kënga Magjike”, Erioni së bashku me Besin morën një ftesë live për të bashkëpunuar me Ardit Gjebrean dhe ja ku ftesa mori “jetë”.
Pyetjeve si erdhi ftesa për të qenë pjesë e Tv Klan, çfarë do të thotë “B.E Caffe” dhe pyetjeve të tjera, Erion Isai u jep përgjigje në një intervistë për tvklan.al.
Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e një emisioni në programin “E diela Shqiptare”?
Mendoj se po. Suksesi i “Këngës Magjike”, ishte një parathënie e bukur midis nesh dhe Tv Klan. Po punojmë fort dhe shpresojmë shumë që standardi i “Këngës Magjike” të na udhëheqë në këtë produksion.
Rubrika juaj brenda “Të Dielës Shqiptare” do të titullohet “B.E Caffe”, kush e përzgjodhi dhe çfarë kuptimi ka?
“B.E Caffe” ishte një ngacmim i Arditit. Paralelizmi midis ëndrrës për të qenë Shqipëria në Bashkimin Europian dhe dëshirës së papërmbajtshme të shqiptarëve për bar-kafenetë. Është një simbol që përshkruan aktualitetin shqiptar.
Në çfarë roli do e shohim Erionin dhe çfarë do të ketë ndryshe nga paraqitjet tuaja në Portokalli?
“B.E Caffe” është një format tërësisht i ri. I konceptuar si një show i performancës, argëtimit dhe humorit. Në kombinime të veçanta të studios dhe eksterierit, në shpresojmë të sjellim një format të ri dhe të bukur. Në ndryshim nga Portokallia, ne këtu do e trajtojmë humorin nisur nga vetja dhe jo nën petkun e personazheve tona. Personazhet tona do të
vijnë vetëm me të ftuarit VIP të emisionit, në një formë të veçantë të cilën s’po e zbuloj.
Ju jeni prej disa muajsh dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave, si është Erioni si drejtor dhe çfarë do t’i ndryshoni këtij institucioni?
Nuk e di si jam unë si drejtor. Performancën time e vlerëson publiku dhe stafi që punon me mua. Por në këtë sezon artistik do të sjellim një koncept, program dhe formë tërësisht të re tek qendra dhe teatri. Po punojmë dhe do të sjellim të paktën 10 premiera të reja. Me fillimin e vitit të ri shkollor, ne do të kemi shfaqje të përditshme për shkollat duke ju bashkangjitur programit “edukimi përmes kulturës”. Si dhe do të fillojmë një program special të teatrit social, të cilin do ta zbulojmë hap pas hapi gjatë muajve të ardhshëm. Ftoj prindërit të na bashkohen çdo ditë. /tvklan.al
Realizoi: Marsida Pllaha