Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka folur për situatën e koronavirusit në shkollë
“Efekti i COVID-19 në shkollë është shumë herët për tu vlerësuar. Rastet që ne shohim sot janë më tepër efekti se çfarë ka ndodhur dy-tre javë më parë”, u shpreh epidemiologu, i ftuar në “ABC-ja e mëngjesit”.
Epidemiologu sqaroi se në këtë fazë të koronavirusit qytetarët janë më të përgatitur në lidhje me COVID-19, ndryshe nga fillimet kur u shfaq, ku dihej shumë pak për trajtimin e tij. Por gjithashtu ai sqaroi se duhen shmangur grumbullimet e fëmijëve me prindërit.
“Mjeku i familjes ka qenë një rol kyç. Nëse trajtimi fillon mirë që në shtëpi atëherë do të kemi një situatë më të kontrolluar.Grumbullimi i fëmijëve më prindërit, mësuesit në shkollë duhet shmangur”, tha ai.
Gjithashtu Alimehmeti theksoi se sipas informacioneve shkencore, personat asimptomatikë kanë një rrezik më të ulët transmetueshmërie.
“Situata në vjeshtë vjen duke u vështirësuar. Por testimet janë ato që do të mbushin boshllëkun e informacionit. Distanca, higjiena dhe maska vlen për çfarëdo lloj virusi respirator”, tha Alimehmeti.