Me ardhjen e shtatorit, pandemia në vendin tonë solli sërish shifra shqetësuese. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 179 pacientë, nga të cilët 31 janë në gjendje më të rënduar. 8134 raste aktive janë momentalisht në vendin tonë sipas Ministrisë së Shëndetësisë teksa numri i viktimave ka shkuar në 2,734.
Megjithatë, vala e katërt e pandemisë në vend është drejt uljes. Në një intervistë për ‘News 24’ epidemiologu Ilir Alimehmeti analizoi treguesit e pandemisë që sipas tij dëshmojnë se vala e 4 ka nisur rënien dhe se në ditët në vijim shifrat do vazhdojnë të bien.
Gjithashtu mjeku Alimehmeti foli për gratë shtatzëna dhe bëri thirrje që të vaksinohen pas muajit të tretë të shtatzënisë. Ndërsa për gratë që planifikojnë një shtatzëni, është mirë që ta shtyjnë 5-6 muaj pasi vaksinohen.
“Le të themi për arsye sigurie më shumë, edhe sepse s’na gjen gjë, mund ta shtyjmë planifikimin e shtatzënisë 5-6 muaj. Pra nëse vaksinohen sot, diku nga marsi prilli të planifikojnë shtatzëninë. Tre muajt e parë të shtatzënisë janë faza embriologjike, pra zhvillimi i fetusit. Në këta tre muaj nuk duhet të bëhet vaksina, jo se ka ndonjë studim të mirëfilltë shkencor për këtë, por është më mirë të jemi nga ana e sigurisë.”