Ky vit është një vit tjetër i suksesshëm për vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti. Përveç muzikës live, në të cilën janë aktivë çdo javë në kryeqytet, dy vëllezërit do të jenë pjesëmarrës edhe në dy festivalet e fundvitit, Kënga Magjike dhe Festivali i RTSH-së. Te ky i fundit, siç rrëfen Endri në një intervistë për “Panorama”, qëllimi është çmimi i parë. Dhe pas garave, Stefi dhe Endri do të nisin një tur në gjashtë shtete të Amerikës, për ta mbyllur me pushimet dimërore në Kaliforni e Majami.
Për momentin, vëllezërit janë përkushtuar te Kënga Magjike, festivali që pas pak ditësh do të ketë netët finale në Pallatin e Kongreseve: “Te Kënga Magjike kemi një material shumë të bukur nga kompozitori Endrit Shani me tekstin e Pandi Laços. Është një baladë shumë e bukur duke u rritur nga sekonda ne sekondë. Një produksion super i bukur” – thotë Endri për këngën konkurrente në këtë festival.
Ndërsa në Festivalin Kombëtar, kënga është shkruar prej tij: “Kam shkruar vetë një kryevepër me muzikën dhe tekstin e shkruar nga unë. Është një mesazh që dua të përcjell te të gjithë njerëzit, si të mëdhenj, ashtu edhe fëmijëve, adoleshentëve dhe gjithë njerëzimit. Kënga flet për realitetin e jetës në ditët e sotme” – thotë më tej Endri.
Qëllimi i vëllezërve, ashtu si edhe i shumë emrave të njohur pjesëmarrës në këtë festival, është skena e madhe e Eurovizionit – ëndrra për të përfaqësuar Shqipërinë edhe në Evropë: “Për atë ëndërr kam hyrë te ky festival. E kam ruajtur që vjet këtë këngë, për këtë arsye. Dua të përcjell këtë mesazh, jo vetëm te vendi ynë, por dua ta dëgjojë gjithë Europa, edhe bota. Është e vetmja mundësi për të kapërcyer edhe kufijtë, për të depërtuar në zemrat e europianëve. Dua që karriera jonë të zgjerohet edhe në Europë, jo për shqiptarët që jetojnë nëpër Europë, por për vetë europianët nga të gjitha shtetet. Asgjë nuk është e pamundur për mua.”
Marrë nga Class