Do të jetë këngëtarja Emma Marrone që do të përfaqësojë vendin fqinj Italinë, në edicionin e këtij viti të festivalit europian Eurovision Song Contest. Fituesja e Sanremo 2012 me këngen Non è l’inferno, e nisi karrierën si soliste pas fitimit të edicionit të 9° të talent show Amici në vitin 2010, falë të cilit lidhi një kontratë me Universal Music dhe deri më sot numëron 3 albume dhe disa çmime, duke u renditur si një nga këngëtaret e reja italiane më të suksesshme të momentit.
Kompeticioni ndërkombetar i muzikes, Eurovision Song Contest 2014, në këtë edicion numëron 37 vende në garë dhe do të mbahet në Kopenhagen (Danimarkë). Këtë vit Rai do të transmetojë dy netët gjysëmfinale (6 dhe 8 maj) në kanalin Rai 4 dhe natën finale të 10 majit në kanalin kombëtar Rai 2.
Edhe këtë vit shqiptarët që jetojnë në Itali do të kenë mundësinë të votojnë këngëtaren përfaqësuese të Shqipërisë, Hersi Matmuja, me shpresën për ta parë në finalen e madhe të 10 majit. Eventi do të transmetohet, për territorin shqiptar, ekskluzivisht në rrjetin e RTSH.