“Vila 24” nis sezonin e ri televiziv me shumë risi, si në imazh, ashtu edhe në përmbajtje. Fytyra e re e programit do të jetë Brunilda Lahe, e cila përveç moderimit, do të mbajë edhe peshën e autorësisë.
Lahe zgjedh “News24”, duke lënë pas bashkëpunimin me platformën digitale “Tring”, ku ka bashkëmoderuar për disa sezone televizive emisionin më të vlerësuar “Life Style” në Shqipëri: “My living”.
“Vila 24” nën drejtimin e Brunildës do të jetë një pasqyrë e së përditshmes, së bukurës, së dobishmes, argëtimit, kulturës, kulinarisë, ngjarjeve që lënë pa frymë, por edhe aspekteve sociale që i prekin të gjithë.
Çdo ditë, nga e hëna në të premte, studioja e konceptuar gjithmonë si një vilë, këtë herë edhe me një skenografi të re, do të gjallërohet nga të ftuar të fushave të ndryshme të jetës, personazhe të njohura dhe të panjohura, të cilët frymëzojnë të bukurën, ndajnë historitë e tyre, përcjellin risitë për shikuesit.
Këto personazhe do të sjellin me vete historitë, përvojat, por edhe performancat e tyre; nuk do të mungojë as gatimi me receta profesionistësh.
Në këtë sezon të ri do të ketë edhe shumë lidhje direkte nga vende ku zhvillohen ngjarje, që frymëzojnë për një nisje të bukur dite. Do të ketë edhe shumë rubrika të realizuara në terren. “VILA 24” do të jetë një motiv pozitiv, për t’ua nisur bukur ditën shikuesve, nga ana tjetër ata edhe do të informohen, edhe do të argëtohen në të njëjtën kohë.
Fokusi i këtij programi do të jetë mirëqenia, kulinaria, risitë, shëndeti, fushat e jetës që prekin, por edhe i grishin të gjithë. Në studio, por edhe jashtë saj në disa raste, do të zhvillohen intervista, performanca, do të përcillen receta dhe sugjerime ditore për ta bërë tryezën, shtëpinë, një vend më të dashur; po kështu edhe rutinën e së përditshmes sonë.