Fëmijët po i rrisim me android e ipad, me tmerret e Harry Poter-it në “dhomën e sekreteve”, por edhe më keq se kaq. Edhe ky shkrim nuk ka si bën përjashtim, shqip një pjesë e ca fjalë anglisht. Jetojmë epokën e globalizimit, të high tech-ut gjithashtu. Por fëmijët janë fëmijë, gjithsesi. Çfarë t’u japësh marrin. Nëse nuk i drejton, shkojnë tek më e lehta, ngulin sytë në HD, hanë sanduiç me kechup e majonezë dhe nuk ngjitin dot shkallët nga obeziteti. E në këtë kohë, filmat shqip për fëmijë thuajse janë harruar të prodhohen. Kemi mbetur me dublime dhe me atë çfarë ka shpëtuar nga prodhimet e para viteve ’90. Por fëmijët nuk duan vetëm historinë e Sponge Bob, të Stiçit, Shrekut apo të Ben 10. Ata duan të shohin në ekran dhe jetën reale, përditshmërinë e tyre. Elona Paja, modestish, por me shumë kurajë vendosi të bëjë diçka. Tek e fundit, menyja për fëmijët duhet shtuar dhe me ca produkte të tjera. Por në fakt ajo “diçkaja” është një goxha produksion, në bashkëpunim me Televizionin Publik, 10 seri plot, në mizanskenat e së cilës lëvizin një kastë aktorësh të vegjël amatorë, por dhe aktorë profesionistë të vërtetë me shumë vite karrierë mbi shpatulla. Për më tepër Elona Paja, ka realizuar regjinë po mbi skenarin e saj. Dhe kjo është një tjetër sfidë. E pyetur rreth serialit, promovimi i të cilit u bë vetëm dy ditë më parë, në një kinema plot me spektatorë, inicuesja të tij Elona Paja thotë:
ResPublica: – Përse një serial për fëmijët? Si u lindi ideja?
Elona Paja: – Fëmijët meritojnë shumë. Unë vetë kam qenë fëmijë, u rrita me përralla, libra, me personazhe që sot as nuk e dimë ku ndodhen. Ajo ç’ka mora më ndihmoi të eci përpara. Të di të fal. Të di të rritem me rregulla. Të mos lëndoj të tjerët. Të jetoj mes njerëzve që ndoshta edhe të mos i kem qejf, por ja që duhen pranuar siç janë. Të mësoj nga gabimet, nga më të rriturit. Ashtu siç dha brezi që shkoi për mua, për ty, a për këdo tjetër, ashtu mendoj që është detyra ime, e juaja, e gjithsecilit të bëjë diçka për brezin e këtyre vogëlusheve.
ResPublica: – Keni sjellë një mori karakteresh të fëmijëve që jetojnë në ditët e sotme. A ishte e vështirë të punoje me ta?
Elona Paja: – Jo nuk ishte e vështirë. Për aq kohe që ti i trajton ata si fëmijë, i le të luajnë veten, ti nuk e ke të vështirë. Nëse ti fiton besimin e tyre, i merr ata seriozisht në gjërat që thonë… nëse ti shkrihesh njësh me ta – (sepse kujto veten në moshë të tyre) – ti nuk e ke të vështirë.
ResPublica: – Cila ishte motoja juaj në marrëdhënie me fëmijët?
Elona Paja: – Mos kërko që ata të ndryshojnë. Mos u ngri zërin. Lejoi të interpretojnë ashtu siç ata e mendojnë, ashtu si ata sillen në të përditshmen. Po i bërë këto ja arrite. Unë them, çdo fëmijë mund të të japë në xhirim atë që ti do. Pastaj nëse është i talentuar apo jo, kjo është tjetër gjë.
ResPublica: – Ndërkohë ju keni aktivizuar edhe dy aktorë të njohur si Arben Shaka dhe Sadush Ylli. Sa mendoni se e ndihmon prania e tyre këtë serial?
Elona Paja: – Janë dy personazhe krejt të kundërt. Dy ngjyra që nëse nuk do ia hidhnim tablosë, ajo pikturë do mbetej gjysmake. Linjat e tyre në film janë dy gjëra të ndryshme por gjithmonë kanë një pikë takimi… I dua shumë të dy, sepse duan fëmijët dhe punën me ta e bëjnë me shumë dashuri. Të dy kanë brenda një pasion për filmat për fëmijë dhe fantazia e tyre gjatë bisedave në kafe më ka lehtësuar punën shpeshherë.
ResPublica: – Në promovimin e filmit tuaj, me pjesë të shkëputura nga 10 seri, pati shumë të ftuar. Cilat ishin impresionet e tyre të para? Po vetë fëmijët si u ndjenë pasi panë veten në ekran?
Elona Paja: – Për pjesën e të ftuarve nuk po flas… Më mirë se ju që keni qenë dhe vetë i ftuar nuk mund ta komentoj këtë pyetje. Të jemi realistë: në raste të tilla, si kjo premierë ka disa kategorish të ftuarish.
-Janë dashamirësit, – ata që ty të duan dhe që kur dalin nga shtëpia vijnë e të përcjellin energji pozitive.
-Janë kritizerët, – ata që patjetër duhet të bëjnë nga një kritikë, pasi këta gjithmonë e gjejnë nga një gjë ku të kapen.
-Janë profesionistët, – kjo është pjesa ku drithërohem dhe e marr seriozisht.
Dhe është edhe një kategori tjetër që kur del nga shtëpia e ka menduar çfarë do të të thotë e që të them të drejtën këta njerëz nuk doja t’i kisha në shfaqen promovuese, por ja që të duhet t’i ftosh dhe kur nuk duhet.
E rëndësishme është që nata e premierës nuk ishte e imja. Ajo ishte e aktorëve të vegjël e pastaj e të rriturve. Fëmijët janë kënaqur dhe unë e ndjeva në sytë e tyre. Lumturia e tyre më bëri të mos e vras fare mendjen se çfarë do të thonë të ftuarit… ndonëse ata të cilët unë vërtet i dua, i besoj, i vlerësoj, më ngrohën me fjalët e tyre.
ResPublica: – Cili është mesazhi që doni të përcillni përmes këtij seriali?
Elona Paja: – Janë shumë mesazhe… Çdo seri ka mesazhin e saj:
-mos lëndoni fëmijët
-mos i braktisni ata
-bëjini të lumtur
-rritini shëndetshëm sepse janë e ardhmja dhe e ardhmja nesër do të ketë në dorë fatin tuaj
Burimi | Respublika / Leonard Veizi