Eliza Dushku, së bashku me vëllain e saj Nate, mbërritën në Shqipëri për të qenë imazhi i edicionit të 9 të Kampionatit Ndërkombëtar të Parashutizmit, që fillon që prej së premtes në Vlorë.
“Erdhëm të mbështesim mikun tonë Alket Islami. Ai na ka ndihmuar mjaft me dokumentarin ‘Dear Albania’ dhe kështu na njohu edhe me Paragliding. U bëmë miq dhe jemi shumë të interesuar në këtë lloj sporti dhe komunitetin e tij. Kështu që erdhëm të mësojmë më shumë rreth kësaj”, tha Eliza Dushku, aktore.
Shqipëria është atdheu i saj i dytë dhe ajo vazhdon të shprehë dëshirën për realizimin e sa më shumë projekteve këtu.
Lexo edhe: The Black Company: Eliza Dushku protagoniste në serialin e ri të David Goyer
“Sapo kam përfunduar xhirimet e një seriali televiziv dy net më parë, por jam duke çuar përpara edhe projekte të tjera. Kemi shumë shpresë se në të ardhmen e afërt do të kemi edhe projekte të tjera në bashkëpunim me Shqipërinë”, deklaroi më tej Eliza Dushku.
“Dear Albania”, dokumentari që e njohu atë më Shqipërinë, do të vijë në ekranin e kinemasë në një tjetër shfaqje të dielën.
“Projektin e nisëm 6 vite më parë dhe duam ta shfaqim sa më shpesh të mundemi. Njerëzit janë të interesuar ta shohin dhe na e kërkuan këtë gjë”, tha Nate Dushku, aktor.
Lajmet janë po ato të publikuara në fund të prillit. Roli i saj i madh do të jetë në adoptimin e librit të Glen Cook.
“Sapo kemi shpallur projektin që jemi duke realizuar ‘The Black Company’. Jemi duke bashkëpunuar me shkrimtarin dhe producentin e mrekullueshëm, David Goyer, bazuar në librin fantazi të Glen Cook”, tha Eliza Dushku.
“Eliza do të luajë rolin e magjistares së zezë që sundon veriun”, tha Nate Dushku.
“Ndërsa muajin tjetër do të fillojmë të xhirojmë në Nju Jork filmin për Robert Mapplethorpe, fotografin e famshëm”, shtoi më tej Eliza Dushku.
Film në të cilin do të jetë protagonist pikërisht Nate, vëllai i saj.