Tashmë mund të themi se ka nisur zyrtarisht periudha e “Kënga Magjike”, ku nga java në javë dëgjojmë të gjitha prurjet e reja të artistëve të njohur e atyre të panjohur që prezantohen në “E Diela Shqiptare” nën drejtimin e producentit Ardit Gjebrea.
Pas prezantimit në programin e së dielës, të gjitha këngët do të përzgjidhen e më pas do të kalojnë në 2 netët gjysmëfinale e më pas në natën e madhe finale, ku dhe njëri prej konkurrentëve do të marrë në shtëpi trofeun e madh.
Një prej emrave që do të rikthehet këtë vit në festival do të jetë Evi Reçi, e cila do të vijë me një projekt të Darko Dimitrov.
Ama burime për Blitz.al kanë treguar se edhe një tjetër emër i njohur do të rikthehet në “Kënga Magjike”. Bëhet fjalë për Elhaida Danin, e cila mban njëkohësisht edhe titullin fituese e “Top Fest” me “S’je Më” dhe e “Festivalit të RTSH” me “Diell”.
Kujtojmë se Dani mori pjesë për herë të parë në kompeticionin e drejtuar nga Gjebrea në vitin 2008 me “Fjala e Fundit”.
Nuk dihen akoma detaje lidhur me këngën, por ajo që do të qe mjaft interesante është fakti se nëse Elhaida del triumfuese këtë vit në “Kënga Magjike”, do të jetë artistja e parë që fiton 3 festivalet/kompeticionet më të rëndësishme e më të mëdha në vend.
Së fundmi, ajo është rikthyer me këngën “Më Mbaj”, ama duket se nuk qenka mjaftuar me kaq.
Pra, “Kënga Magjike” nuk do duhet humbur për asnjë gjë në botë këtë vit! /Blitz.al/