Artistja me origjinë shqiptare por shumë e njohur në Greqi, Eleni Foureira po jeton periudhën më të lumtur të jetës së saj pasi dy muaj më parë solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Këngëtarja i është përkushtuar plotësisht rritjes së djalit të saj , por në të njëjtën kohë nuk heq dorë nga aktivitetet e saj profesionale dhe prej disa javësh po përgatitet me ethe për turin e ri veror (i cili fillon më 27 maj).
Një ditë më parë, Eleni ishte në studio për të regjistruar këngët e saj të reja, por njëkohësisht ka pozuar edhe në disa foto të cilat i postoi në Instagram, duke na treguar se si duket trupi i saj rreth 2 muaj pas ardhjes së djalit.
Siç shihet në foto, asaj i shihet barku ndërsa trupi i është kthyer plotësisht në gjendjen e mëparshme fizike, pasi ajo kujdeset që të stërvitet çdo ditë.